Shqipëria

PS-ja depoziton kërkesën për Vetting-un


Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend kërkesën për zgjatjen e mandateve të Vetting-ut.

Kjo pasi afatet e komisioneve të Vetting-ut përfundojnë pesë vite nga momenti i funksionimit.

PS-ja kërkon që afatet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të shtyhen deri në 2024-ën.

Që këto ndryshime të realizohen kërkohen edhe votat e Partisë Demokratike.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, në një komunikim me mediat është shprehur se kjo është një vijueshmëri e Reformës në Drejtësi.

“Vijimi i procesit të vetting-ut me të njëjtin standard që është vijuar deri më tani është domosdoshmëri”, tha Balla.

Sipas tij, partitë politike duhet te qëndrojnë larg sepse themeli i Reformës në Drejtësi ka qenë pikërisht heqja e çdo lloj ndikimi politik.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mëngjesin e 15 tetorit u shpreh se, nuk do të ketë shkëmbim votash apo pazare me PD-në për sa i përket Reformës në Drejtësi.

Më herët, Ulsi Manja, ministri i ri i Drejtësisë, në fjalimin e tij ka bërë me dije se do të kërkojë zgjatjen e mandatit për dy organet e vetting-ut.

“Që të miratohet kjo”, tha Manja, “duhet dhe kompromisi me opozitën”.

Sipas tij, ky është mandat kushtetues dhe zgjatja e mandatit kërkon ndërhyrje në Kushtetutë.

“Nuk i kemi votat e nevojshme për të zgjatur mandatin, por do të kërkojmë konsensusin e opozitës. Për ne mbarimi i procesit të vetting-ut është garanci”, finalizoi Manja deklaratën e tij.

Opozita është shprehur se do të presë për të parë draftin dhe më pas do të shprehet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore