Kosova

Ndarja e mjeteve nga qeveria për pensione e skema sociale – “tendencë për rritjen e votave”


Ilustrim

Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 36 milionë euro për pensione dhe skema sociale, në kuadër të zbatimit të masave të Pakos së ringjalljes ekonomike. Por, veprimet e tilla të qeverisë po konsiderohen si “tendencë për rritjen e votave”, për shkak të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale më 14 nëntor.

Anëtari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere në Kuvendin e Kosovës, njëherësh deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, për Albanian Post ka thënë se pavarësisht mundësive të shtetit, “qeveria me masat e tilla po tenton t’i tërheqë votuesit kah vetja për shkak të balotazhit”.

“Qeveria po shpërndanë para duke mos menduar për stabilitetin buxhetor. Nuk e di se ku konkretisht po merren paratë, në cilat vija buxhetore. Por, në ditët në vijim mendoj se Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere duhet të bëjë një analizë për këtë çështje”, është shprehur ai.

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj

Megjithatë, Lekaj në parim “e përkrahë” rritjen e skemave sociale. Kjo për shkak se vendi po përballet edhe me rritjen e çmimeve.

Meqë Lëvizja Vetëvendosje, në raundin e parë të zgjedhjeve lokale nuk ka arritur të fitojë asnjë komunë pa balotazh, për analistin Arton Demhasaj, përmes vendimeve të tilla qeveria “ka tendencë të rritë votat”.

“Rritja në skemat sociale ka arsyetim në aspektin ekonomik dhe financiar, pasi ka ngritje të madhe të çmimeve dhe shuma e pensioneve është shumë e vogël. Rritja ka kuptim edhe përkundër që mund të jetë ngarkesë buxhetore, por vetë fakti se vendimet po merren në mes zgjedhjeve, kjo po i jep hije të zezë kësaj çështjeje”, ka thënë Demhasaj.

Analist – Arton Demhasaj

Ndryshe nga Lekaj e Demhasaj, ish-ministri i Financave në Kosovë, Haki Shatri, në një prononcim për AP ka thënë se në përgjithësi i tërë miratimi i buxhetit nuk mund të shihet si fushatë zgjedhore.

Kjo sipas tij, për shkak se miratimi i buxhetit është e përcaktuar me ligj dhe ka një afat të caktuar se kur duhet të dërgohet drafti në duart e deputetëve në kuvend.

“Miratimi i buxhetit për vitin 2022 është i përcaktuar me ligj, qeveria e ka pasur datën e fundit më 31 tetor, që ta miratojnë buxhetin dhe ta dërgojë në kuvend. Kështu që miratimi i buxhetit nuk mund të konsiderohet si fushatë parazgjedhore për shkak se është e përcaktuar me ligj”, ka deklaruar Shatri.

Por, sipas Shatrit, e vetmja gjë që mund të cilësohet si fushatë parazgjedhore është prezantimi i disa pikave kyçe të cilat mund të joshin një pjesë të caktuar të qytetarëve.

“Ajo që mund të konsiderohet fushatë është se kur është promovuar buxheti dhe prezantuar para opinionit i kanë prezantuar vetëm pikat që i nxitin një kategori të njerëzve që të krijojnë simpati”, shtoi Shatri.

Ish-ministri i Financave në Kosovë, Haki Shatri

Megjithatë, ai ka theksuar që nuk është kundër kësaj rritje pasi që e njëjta nuk e dëmton buxhetin e shtetit.

“Parimisht kjo nuk është ndonjë rritje që dëmton buxhetin, sepse 36 milionë brenda një viti nuk është ndonjë rritje esenciale. Nuk jam kundër, sepse nuk e dëmton buxhetin”, potencoi ai.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’iu ndajë nga 100 euro të gjithë pensionistëve për muajin nëntor.

Numri i përgjithshëm i pensionistëve në Kosovë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, është 191 mijë e 257.

Prej tyre, 142 mijë e 92 janë shfrytëzues të pensionit të pleqërisë, që marrin nga 90 euro në muaj.

Ndërsa, 49 mijë e 165 janë kontribut-pagues, që ndahen në katër kategori, të cilët marrin nga 170 deri në 260 euro në muaj, në bazë të përgatitjes shkollore.

Ndryshe, rritje të pensioneve ka pasur herë pas herë. Fillimisht shuma e pensioneve ka qenë 45 euro në muaj për personat mbi 65 vjeç, kurse ata që kanë paguar kontributet kanë marrë 85 euro në muaj.

Më pas janë rritur në 60, respektivisht 112 euro.

Përveç 36 milionë eurove, për shtesa të pensioneve dhe familjeve me asistencë sociale, Qeveria e Kosovës të enjten, më 28 tetor, në kuadër të Pakos së ringjalljes ekonomike, ka ndarë 40 milionë euro për subvencionimin e kredive për bizneset prodhuese dhe mbështetjen e eksportit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore