Lajme

Ndahen mbi tre milionë euro për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Janjevës


Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se janë ndarë mbi tre milionë euro për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zhvillimin ekonomik të Janjevës.

Nga këto fonde, 1.4 milionë janë ndarë nga kjo ministri dhe dy milionë nga fondet IPA 2020 e Bashkimit Evropian.

“Ky projekt ka mbështetje financiare në vlerë prej 3.4 milionë euro, ku nga këto 1.4 milionë euro ndahen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe dy milionë euro nga fondet IPA 2020 të Bashkimit Evropian”.

“Zbatimi i projektit është planifikuar për vitet 2021-2024, dhe bëhet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë”, thuhet në njoftimin e ministrit Çeku.

Sipas njoftimit, thuhet se në kuadër të këtij projekti përfshihen tri komponenta kryesore, atë të integrimit të trashëgimisë kulturore në planifikim hapësinor, mbrojtja e trashëgimisë kulturore përmes restaurimit dhe zhvillimi ekonomik përmes promovimit të turizmit të qëndrueshëm.

“Gjatë këtij projekti parashihen hartimi i strategjisë për zhvillim të kulturës dhe turizmit rural, hartimi i planeve të menaxhimit për qendrën historike të Janjëvës, dhe shtëpinë muze të At Shtjefën Gjeqovit”.

“Po ashtu, parashihen edhe restaurimi i 13 shtëpive të vjetra, zhvillimi i kapaciteteve njerëzore të komunitetit lokal për zhvillim të qëndrueshëm, dhe promovimi i ofertave kulturore dhe natyrore që i ofron Janjeva, për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit kulturor”, vijon njoftimi.

Ndërkaq, ministri Çeku, ka theksuar se mbrojtja e trashëgimisë kulturore si vlerë e përbashkët e cila i kontribuon forcimit të ndjenjës së përkatësisë dhe identitetit tonë, duhet të trajtohet si proces kompleks, i cili fillon me mbrojtje ligjore, vlerësim profesional dhe ndërhyrje fizike.

“Ky proces kompleks vazhdon me ngritje të kapaciteteve njerëzore, dhe me ngritje të vetëdijes për rëndësinë dhe rolin e trashëgimisë, e deri te mekanizmat e menaxhimit efikas që do të sigurojnë ringjalljen socio-ekonomike dhe zhvillim të qëndrueshëm lokal”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore