Përballje

NBA/ Vazhdon forma e dobët e Lakers, rikthehet te suksesi Miami Heat


Orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës (me kohën tonë lokale), është zhvilluar tjetër xhiro në ligën më të fortë të basketbollit në botë, NBA.

Në këtë xhiro u zhvilluan pesë takime, ndërsa ai mes Brooklyn Nets dhe Washington Wizards, u pezullua për shkak të COVID-19.

Los Angeles Lakers pësuan humbjen e tretë radhazi, teksa u mposhtën në shtëpi nga Phoenix Suns, me rezultat 90:108.

Ylli i Lakers, LeBron James, ishte shumë efikas në këtë duel, duke realizuar 34 pikë e shtatë kërcime, por ai nuk arriti të shpëtojë ekipin e tij nga humbja.

Ndërsa, në radhët e Suns u dallua Devin Booker me 24 pikë, nëntë kërcime dhe shtatë asistime.

Me këtë fitore, Suns mbajnë vendin e parë të Konferencës Perëndimore me 25 fitore kundrejt pesë humbjeve.

Ndërsa Lakers gjenden në pozitën e tetë, të cilët kanë marrë 16 fitore dhe po aq humbje.

Miami Heat vs Indiana Pacers

Ndërkohë, Miami Heat është rikthyer te fitorja, të cilët mposhtën Indiana Pacers, me rezultat të thellë, 125:96.

Një sukses ky i merituar nga vendasit, të cilët dominuan lojën që nga fillimi, ku pesë basketbollistë të tyre arritën pikë dyshifrore.

Me këtë fitore, Heat pozicionohet në vendin e katërt të Konferencës Lindore me 19 fitore dhe 13 humbje, ndërsa Pacers mbajnë vendin e 13 me 19 humbje dhe 13 fitore.

Rezultatet e tri ndeshjeve tjera të kësaj xhiroje:

New York Knicks 105-91 Detroit Pistons

New Orleans Pelicans 111-97 Portland Trail Blazers

Dallas Mavericks 114-102 Minnesota Timbervolves

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore