Përballje

NBA/ Ngec përsëri kampioni në fuqi, fitore marrin Warriors e Clippers


Orët e hershme të mëngjesit të së martës (me kohën tonë lokale), ka përfunduar një tjetër xhiro në ligën amerikane të basketbollit, NBA.

Kampioni në fuqi i kësaj gare, Milwaukee Bucks, është ndalur përsëri, teksa është mposhtur në udhëtim te Boston Celtics me rezultat 117:103.

Më i miri në këtë ndeshje ishte basketbollisti i Celtics, Jayson Tatum, i cili realizoi 42 pikë, pesë kërcime e katër asistime.

Ndërsa te Milwaukee u dalluan Giannis Antetokounmpo me 20 pikë, tetë kërcime e tre asistime dhe Jrue Holiday me 20 pikë e tetë asistime.

Kjo ishte humbja e 11 për Milwaukee Bucks, të cilët me 18 fitore renditen në vendin e tretë të Konferencës Lindore, ndërsa Boston Celtics renditen në vendin e nëntë, me 14 fitore e po aq humbje.

Ndeshje tejet interesante u zhvillua në Indianapolis, aty ku Golden State Warriors shënoi fitore të ngushtë ndaj Indiana Pacers, me rezultat 100:102.

Basketbollisti më i mirë në këtë takim, ishte ai i Pacers, Domantas Sabonis i cili realizoi “duble-duble”, duke shënuar 30 pikë e 11 kërcime.

Ndërsa më i miri te Warriors ishte Stephen Curry, i cili mbylli këtë ndeshje me 26 pikë, gjashtë kërcime dhe gjashtë asistime.

Kjo ishte fitorja e 22 e Golden State, ndërsa kanë edhe pesë humbje, të cilët kryesojnë në Konferencën Perëndimore.

Derisa për Indiana Pacers, kjo ishte humbja e 17, të cilët numërojnë edhe 12 fitore.

Fitore më të lehtë në këtë xhiro shënoi Los Angeles Clippers, që triumfuan me rezultat 111:95, përball Phoenix Suns.

Më i miri në këtë ndeshje, ishte basketbollisti i Clippers, Marcus Morris, i cili arriti “duble-duble” me 24 pikë e 11 kërcime.

Ndërsa “duble-duble” arriti edhe basketbollisti i Suns, JaVale McGee, i cili realizoi 13 pikë dhe po aq asistime.

Rezultatet e ndeshjeve tjera:

Cleveland Cavaliers 105-94 Miami Heat

Toronto Raptors 124-101 Sacramento Kings

Atlanta Hawks 126-132 Houston Rockets

Memphis Grizzlies 126-91 Philadelphia 76ers

Dallas Mavericks 120-96 Charlotte Hornets

Denver Nuggets 113-107 Washington Wizards.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore