Shqipëria

NATO uron Pavarësinë: Shqipëria, ‘Vendi i Shqiponjave’ fluturon sot në Ditën e Çlirimit


“Shqipëria, ‘Vendi i Shqiponjave’, fluturon sot në Ditën e Çlirimit”.

Kështu shkruhej në faqen zyrtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), duke uruar Shqipërinë për “Festën e Pavarësisë”.

NATO më tej e ka cilësuar Shqipërinë si një aleat të vlerësuar.

“Kontributet dhe pjesëmarrja e rëndësishme e Shqipërisë në misionet dhe stërvitjet shumëkombëshe të NATO-s tregon rëndësinë e saj strategjike për Aleancën dhe Evropën”, e mbyll urimin NATO.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka ripostuar në median sociale Instragram urimin e NATO-s.

Shqipëria është anëtarësuar në NATO në vitin 2009, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit.

Ky i fundit është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Washington-it. Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së Jashtme, duke  avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.

Image

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi si rrjedhojë e vendimit të rëndësishëm për zgjerimin e Aleancës, të marrë më 3 prill 2008 nga të 26 Krerët e Shteteve dhe Qeverive të Aleancës gjatë një seance të posaçme të Samitit të NATO-s Bukuresht.

Po këtë vit Shqipëria dhe Kroacia u ftuan të fillonin bisedimet për anëtarësimin.

Ky vendim erdhi pas mbylljes të ciklit të 9-të të Planit të Veprimit për Anëtarësimin (MAP) të Shqipërisë me NATO-n dhe pas kryerjes të një sërë reformave që synonin plotësimin e kritereve të nevojshme për anëtarësimin në Aleancë.

Shqipëria sot feston një Ditë të shënuar për vendin – 109-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, ndryshe njihet edhe si Dita e Flamurit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore