Shqipëria

Antony Blinken dhe Yuri Kim kujtojnë 109-vjetorin e Pavarësisë: Shqipëria mike, partnere dhe aleate


“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgëzoj popullin e Shqipërisë për festimin e 109-vjetorit të Pavarësisë”.

Kështu e nis urimin e tij Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke kujtuar këtë Ditë të shënuar për Shqipërinë.

“Miqësia jonë e thellë dhe e qëndrueshme daton më shumë se një shekull nga koha kur Presidenti Woodrow Wilson mbrojti prerazi pavarësinë e Shqipërisë në ‘Konferencën e Paqes në Paris’ të vitit 1919”.

Më tej ai thekson se që prej asaj kohe, “shqiptarët kanë demonstruar forcë dhe qëndrueshmëri të madhe duke hedhur poshtë shtypjen e një diktature komuniste dhe duke ndërtuar një demokraci të përkushtuar ndaj tolerancës, të drejtave të njeriut dhe integrimit evropian”.

Ndër të tjera Blinken e vendosi theksin te mikpritja që e karakterizon kombin shqiptar.

“Shqipëria e demonstroi këtë frymë përsëri këtë vit duke hapur dyert e saj për afganët në nevojë dhe ata vazhdojnë të ofrojnë një port të sigurt siç bënë për mijëra hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe grupe të tjera që ikin nga persekutimi gjatë dekadave të fundit”.

Gjithashtu Sekretari Amerikan ka kujtuar se Shqipëri-SHBA janë aleatë në NATO dhe në vitin 2022 do të jenë krah për krah në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Në vitin 2021, ne shënuam 30 vjet të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, duke reflektuar mbi gjithçka që amerikanët dhe shqiptarët kanë arritur së bashku që nga viti 1991”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama së bashku me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Në përfundim Blinken thekson se SHBA-të “janë të përkushtuara për të mbështetur institucionet demokratike të Shqipërisë, reformat në drejtësi dhe ekonomike, si dhe të ardhmen në Bashkimin Evropian”.

“Ne presim të thellojmë edhe më tej miqësinë tonë dhe mbetemi krenarë që e quajmë Shqipërinë mik, partner dhe aleat”, e mbyll urimin e tij Blinken për këtë Ditë të shënuar të popullit shqiptar.

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim, nëpërmjet një postimi në Twitter ka uruar gjithashtu Shqipërinë në ditën e saj të Pavarësisë.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përgëzoj popullin e Shqipërisë teksa feston 109-vjetorin e Pavarësisë”, e mbyll postimin Kim duke shtuar dhe fjalën e Blinken-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore