Kosova

Naser Osmani dhe Atdhe Gashi edhe në rigjykim dënohen me nga 3 vjet burgim për “Fondin 3- përqindësh”


Ilustrim.

Gjykata Themelore në Prishtinë përmes aktgjykimit dënues kundër të akuzuarve Naser Osmani dhe Atdhe Gashi ka dënuar të dy me nga tri vjet burgim për shkak se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”.

Kurse për të akuzuarin tjetër Bujar Bukoshi procedura është veçuar.

Në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinës është thënë se sipas këtij aktgjykimi të akuzuarit Osmani dhe Gashi obligohen që në mënyrë solidare të kompensojnë dëmin prej 255 mijë e 398 euro e 41 centë, në afat prej 15 dite prej plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi në buxhetin e Republikës së Kosovës.

Po ashtu ata obligohet që të paguajnë shpenzimet e procedurës penale në shumën prej 500 euro në emër të paushallit gjyqësor si dhe shumën prej 20 euro në emër të Fondit te Viktimave te Krimit.

Ndërkaq, për të njëjtit është refuzuar akuza për veprën penale “Shmangia nga Tatimi” nga neni 249 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për shkak të kalimit të afatit të parashkrimit absolut të veprës penale.

Më 15 shtator të 2021, ishte vendosur që të kthehet në rigjykim rasti i Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit, të cilët ishin akuzuar për Fondin e tre përqindëshit.

Kështu kishte bërë të ditur me anë të një njoftimi Gjykata e Apeltit të Kosovës, brenda të cilës është thënë se të akuzuarit, Osmani e Gashi, janë shpallur fajtorë dhe që të dy do të vuajnë dënim me nga tre vjet burg.

Bujar Bukoshi në kohën e sistemit paralel të Kosovës të viteve 1990 ka qenë kryeministër i Kosovës në ekzil, qeveri e cila ka organizuar sistemin arsimor të Kosovës dhe ka menaxhuar financat e mbledhura me vetëkontribut të mërgimtarëve dhe shqiptarëve brenda Kosovës, i njohur ndryshe si “trepërqindëshi”.

I akuzuari tjetër Naser Osmani ka qenë një ndër përgjegjësit e këtij fondi, ndërsa aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK.

I akuzuari i tretë, Atdhe Gashi, është një person i afërt me Bukoshin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore