Lajme

NASA po përplas një anije kozmike ndaj një asteroidi, për të parë nëse mund ta mbrojmë planetin


Është testi i parë i këtij lloji në historinë e Tokës dhe gjendet shumë pranë përmbylljes.

Përpara 10 muajsh, agjencia amerikane për hapësirën, NASA, ka lëshuar një anije kozmike, për t’iu afruar trajektores së një asteroidi dhe për t’u përplasur me të.

Çasti, ka ardhur, për të parë nëse gjithçka do të funksionojë…

Nuk është e paqëllimtë kjo nismë shumë e madhe e NASA-s, pasi rezultati i impaktit mund të përcaktojë nëse Toka do të jetë në gjendje të mbrohet nga ndodhi të ardhme ose jo.

Një asteroid i rënë në planetin blu miliona vjet më parë, ishte shkak i zhdukjes së dinosaurëve dhe shumë gjallesave të tjera, kur njeriu ende nuk ishte zotërues i globit.

Po në të ardhmen, a mund të bjerë në Tokë një asteroid i stërmadh, i cili mund t’i japë fund gjithçkaje?

Sigurisht që po.

Por, a mundemi ne ta evitojmë katastrofën?

Jo! Të paktën deri tani jo…

Megjithatë, nëse përplasja mes anijes kozmike DART dhe asteroidit Dimorphos shkos sipas planit, ikja në Mars apo planetë të tjerë, nuk do të jetë ndoshta e nevojshme.

DART ka për synim të “deformojë” trajektoren e Dimorphos, i cili në vetvete është në madhësinë e një fushe futbolli dhe gjendet rreth 11 milionë kilometra larg Tokës.

Nëse DART (shigjeta) arrin që me forcën e vet kinetike të devijojë udhën e asteroidit, ky do të ishte suksesi më i madh i arritur, pasi do të vërtetonte se është e mundur që të ndërhyhet në kursin e trupave qiellorë, që mund të vijnë drejt planetit tonë.

I lëshuar nga një raketë e kompanisë SpaceX, DART mundet pa diskutim të kthehet në ngjarjen më të madhe për astronominë në vitin 2022, duke qenë në barazi me misionin e pritshëm Artermis I, i cili do të dërgojë drejt Hënës një anije kozmike, për ta orbituar satelitin natyror të Tokës, për të parën herë pas pesë dekadash.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore