Lajme

Nagavci: MASHT-i ka shënuar performancë shumë më të mirë se viteve tjera


Ministrja e Arismit, Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arismit, Arbërie Nagavci, është shprehur se ministria që ajo udhëheq ka shënuar performancë shumë më të mirë se viteve tjera.

Kështu ka bërë të ditur ajo përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Raporti i Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore për vitin 2020, kishte rezultuar me 22 rekomandime, prej të cilave 15 rekomandime janë zbatuar gjatë vitit 2021, ndërsa 6 rekomandime janë duke u zbatuar, për arsye se janë çështje të cilat nuk varen vetëm nga MAShTI, por edhe nga institucione të tjera”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Ndërsa, ka theksuar se do t’i sigurojnë qytetarët që përmes transparencës, llogaridhënies e punës paret e tyre do t’u kthehen në shërbime cilësore në arsim.

“Me transparencë, llogaridhënie e punë, i sigurojmë qytetarët tanë se paratë e tyre si taksapagues do t’u kthehen në shërbime cilësore në arsim, segment ky që siguron zhvillimin e vendit dhe të ardhme më të mirë për fëmijët tanë”.

Ajo ka paraqitur edhe raportimin e auditimit të MASHT-it ndër vite (2017-2021), bazuar në zbatueshmërinë e rekomandimeve, në formë të grafikes.

Raporti i auditimit të MASHT-it ndër vite (2017-2021).

Ndryshe, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) e Kosovës, ka publikuar të enjten rezultatet e Testit të Arritshmërisë për klasat e nënta, sipas të cilave arritshmëria mesatare është 50.75 për qind.

Në njoftim është thënë se në pjesën e parë të testit, arritshmëria e shprehur në përqindje në lëndët e përfshira në këtë pjesë është 54.4, ndërsa e ndarë sipas lëndëve është, në Gjuhën shqipe – 57.5, Gjuhë angleze – 74.1, Histori – 42.1 dhe Gjeografi – 50.5.

“Ndërsa, në pjesën e dytë të testit, arritshmëria është 47.1 për qind dhe e ndarë sipas lëndëve është: Matematikë – 46.8, Informatikë – 52.1, Fizikë – 45, Kimi – 41.3 dhe Biologji – 51.2. Testit të Arritshmërisë këtë vit i janë nënshtruar rreth 24 mijë nxënës të klasave të nënta”, është thënë në njoftim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore