Lajme

Na përçau Kurti


Shqiprim Arifi

Lideri i Alternativës Demokratike Shqiptare (ADSH) dhe kryetari aktual i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të hënën, ka fajësuar kryeministrin kosovar, Albin Kurti, për pjesëmarrjen e ulët të votuesve shqiptarë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale dhe krahinore të Serbisë të mbajtuara të dielën e 17 dhjetorit.

Ai ka konsideruar se shqiptarët e tri komunave në pjesën jugore të Serbisë – Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – kanë bojkotuar zgjedhjet për shkak të përfshirjes së kryeministrit Kurti, i cili, sipas tij, ka përçarë përfaqësuesit politikë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, derisa ka shtuar se kreu i ekzekutivit kosovar do të mbajë “përgjegjësi morale dhe kombëtare”.

“Për këtë momentum politik, do të mbajnë përgjegjësi gjithë lidershipi shqiptar në Luginë të Preshevës. Këto zgjedhje janë kthim prapa për shqiptarët në Luginën e Preshevës, jo vetëm për shkak të përçarjes, por edhe me përfaqësimin e vetëm një deputeti në parlamentin serb, përkundër potencialit për të dërguar tre apo katër deputetë”, ka shkruar Arifi të hënën.

Serbia përfundoi edhe një cikël zgjedhor të dielën, por rezultatet preliminare të zgjedhjeve sugjerojnë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do të vazhdojë dominimin mbi skenën politike serbe dhe do të forcojë kontrollin në Serbi – rezultatet preliminare sugjerojnë fitore bindëse për Partinë Progesive Serbe (SNS), megjithëse janë raportuar një numër i parregullësive gjatë procesit.

Një aspekt shumë pozitiv i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, lokale dhe krahinore të Serbisë, padyshim se është marrja e një mandati nga kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe udhëheqësi i koalicionit “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon”, Shaip Kamberi, i cili pritet të jetë sërish zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Parlamentin e Serbisë.

Kamberi, përkundër frikës se përçarja e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, do t’i linte shqiptarët pa përfaqësim në parlamentin serb, fitoi shumicën e nevojshme të votave. Lista “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon” fitoi mbi 11 mijë e 500 vota, ndërsa “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar” fitoi 1 mijë e 250 vota.

“Por, çka mbetet e paqartë është qëllimi i kryeminstrit Kurti, pas gjithë atij investimi në zgjedhjet parlamentare; a po synonte të dërgonte më shumë se një deputet dhe rezultatet devijuan nga planet e tij, apo po synonte të dërgonte vetëm Kamberin si deputet të vetëm, si doraputhës kryesor. Kjo paqartësi mbetet e padefinuar”, shkroi Arifi në rrjetet sociale të hënën.

E në përgjithësi, besimi i qytetarëve serbë ndaj SNS-së vetëm e konfirmon se perspektiva e demokracisë në Serbi është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia nën regjimin e Vuçiçit do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, gjatë gjithë historisë, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga pjesa tjetër e botës perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore