Lajme

Myanmar ‘pa fjalim’ në OKB


Asnjë përfaqësues nga Myanmar nuk është planifikuar të mbajë fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të nivelit të lartë vjetor të Kombeve të Bashkuara, tha një zëdhënës i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB)  të premten e 24 shtatorit.

Ky njoftim erdhi mes pretendimeve rivale për ulësen e vendit në OKB në New York pasi një grusht shteti ushtarak rrëzoi qeverinë e zgjedhur më 1 shkurt.

Pretendime të njëjta janë bërë edhe për selinë e Afganistanit në OKB pasi talebanët morën pushtetin muajin e kaluar.

Ambasadori për qeverinë e rrëzuar do të mbajë fjalimin e tij të hënën.

“Në këtë pikë, Myanmar nuk do të flasë ”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

Ambasadori aktual i Myanmar-it në OKB, Kyaw Moe Tun – i emëruar nga qeveria e zgjedhur e Aung San Suu Kyi – fillimisht pritej të fliste në Asamblenë e Përgjithshme me 193 anëtarë të hënën, ditën e fundit të mbledhjes.

Diplomatët thanë se Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kishin arritur një mirëkuptim, ku Moska dhe Pekini nuk do të kundërshtojnë që Kyaë Moe Tun të qëndrojë në selinë e Myanmar-it në OKB për momentin, për sa kohë që ai nuk flet gjatë takimit të nivelit të lartë.

“Unë u tërhoqa nga lista e folësve ndaj nuk do të flas në këtë debat të përgjithshëm”, tha Kyaw Moe Tun, duke shtuar se ai ishte në dijeni të mirëkuptimit midis disa anëtarëve të komitetit të kredencialeve të OKB -së, i cili përfshin Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara.

Junta e Myanmar-it ka paraqitur veteranin  ushtarake Aung Thurein si të dërguarin e saj në OKB, ndërsa Kyaë Moe Tun ka kërkuar të rinovojë akreditimin e tij në OKB, pavarësisht se ishte objektivi i një komploti për ta vrarë ose plagosur atë për kundërshtimin e tij ndaj grushtit të shtetit të shkurtit.

Dujarric tha se “tani për tani, përfaqësuesi i Afganistanit i përfshirë në listë për të hënën është Ghulam Isaczai”.

Isaczai është ambasadori aktual i OKB -së, i cili përfaqëson qeverinë afgane të rrëzuar nga talebanët.

Ministri i Jashtëm taleban, Amir Khan Muttaqi kërkoi të hënën që t’i drejtohet mbledhjes së udhëheqësve botërorë në Kombet e Bashkuara dhe emëroi zëdhënësin e grupit islamik në Doha, Suhail Shaheen, si ambasador të Afganistanit në OKB.

Çështjet e akreditimit të OKB-së trajtohen nga një komitet nëntë anëtarësh, anëtarët e të cilit përfshijnë Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe Rusinë.

Tradicionalisht mblidhet në tetor ose nëntor, kështu që një vendim nuk do të merrej në kohë që do të lejonte Muttaqin të drejtohej në mbledhjen e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme këtë vit.

Derisa të merret një vendim nga komiteti i kredencialeve në Afganistan dhe Myanmar, Isaczai dhe Kyaë Moe Tun do të qëndrojnë në vende, sipas rregullave të Asamblesë së Përgjithshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore