Lajme

Bie Kabuli, talebanët marrin presidencën


Kabuli ka rënë zyrtarisht dhe forcat talebane kanë hyrë në presidencë duke marrë kontrollin e shtetit afgan.

Sipas raportimeve mediatike nga Afganistani, policia e ka lënë detyrën dhe qytetarët janë të pambrojtur. Disa zona të kryeqytetit janë evakuuar tërësisht, ndërsa mesazhi i parë i talebanëve nga Presidenca, ka qenë ai i një qetësimi të masës dhe sigurim se shtetasit e huaj, nuk do të lëndohen.

Një transmetim i drejtpërdrejtë nga pallati u dha nga media e Katarit, Al Jazeera.

Gjasat për burime nga disa media të Lindjes së Mesme, janë që ata të shpallin Emiratin Islamik të Afganistanit.

Presidenti afgan, Ashraf Ghani, është larguar drejt Tajikistan-it, ndërsa në foltoren e tij presidenciale, shfaqen disa drejtues të forcave talebane.

Ata e filluan transmetimin duke kënduar pjesë të Kuran-it.

Një prej militantëve, pohoi se kishte shpenzuar tetë vjet i burgosur në Guantanamo.

Një tjetër, deklaroi nga pallati presidencial se ka pasur koorkinim me forcat amerikane në hyrje të Kabulit, për të mos shkaktuar incidente.

Çaste të njëpasnjëshme në formë videosh po transmetohen nga Presidenca e Afganistanit. Një deklaratë e plotë prej talebanëve ende nuk është zbardhur.

U largova që të mos ketë gjakderdhje

Presidenti afgan, Ashraf Ghani, ka reaguar për herë të parë pas largimit të tij nga Kabuli.

Sipas tij largimi erdhi “për të shpëtuar kryeqytetin dhe qytetarët e tij nga gjakderdhja”.

“Kam hasur në një zgjedhje të vështirë, duhet të qëndroja përballë talebanëve të armatosur që donin të hynin në pallat ose të largohesha nga vendi i dashur që i kushtova jetën time … 20 vitet e fundit”, ka shkruar ai në median sociale Facebook.

Kryeministri afgan ka theksuar se talebanët po përballen me një provë të re historike, ku ose do të mbrojnë emrin dhe nderin e Afganistanit ose do t’i japin përparësi vendeve dhe rrjeteve të tjera.

Luftëtarët talebanë kanë hyrë në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, pasi presidenti Ghani, u largua nga vendi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore