Bota

Myanmar: Gjendja e emergjencës do zgjasë 1 vit


Gjeneral Min Aung Hlaing
🕐13.45
Roli i ushtrisë në politikën e Myanmar-it

Ushtria ka udhëhequr për thuajse 50 vite me radhë në Myanmar, pas një grushti shteti në vitin 1962.

Falë pushtetit të marrë, në vitin 2008, qeveria ushtarake arkitektoi një kushtetutë ku ajo të kishte rol të përhershëm në sistemin politik në Myanmar. 25% e përfaqësisë së Parlamentit, i takon ushtrisë. Gjenerali zgjidhet automatikisht si ministër i Mbrojtjes, i Brendshëm dhe i Kufijve.

Kjo gjë i siguron një rol kyç në vendosjen e politikave. Ky pushtet, e ka bërë situatën e paqartë, përsa i përket ndarjes së detyrave me partinë në pushtet, Ligën Kombëtare për Demokraci.

Kancelarja e arrestuar e Myanmar-it, Aung San Suu Kyi, për vite me radhë ka vuajtur persekutimin për opozitarizmin që ka shfaqur ndaj ushtrisë.

Gjenerali Min Aung Hlaing ndërkohë, i cili ka marrë drejtimin e vendit, e ka filluar nga pozita të ulëta në ushtri rrugëtimin e tij politik. Ai ka studiuar për drejtësi dhe ka ngjitur rangjet e ushtrisë gjatë dekadave të karrierës ushtarake.

Pjesa më e madhe e kabinetit qeveritar në Myanmar janë arrestuar gjithashtu. Nuk ka asnjë raportim deri tani mbi gjendjen e tyre shëndetësore.

🕐11.55

“Gjendja e emergjencës do të mbetet në fuqi për një vit”.

Faktin e konfirmoi gjenerali Min Aung Hlaing, i cili pas grushtit të shtetit të ndodhur, ka marrë në dorë fatet e vendit. Videoja është përcjellë në televizionin publik, tashmë nën kontroll të ushtrisë.

Gjenerali do të jetë komandanti në detyrë i shtetit. Vendimi vjen pas arrestimit të kancelares 75 vjeçare të Myanmarit, Aung San Suu Kyi. Pjesa më e madhe e kabinetit të saj, është arrestuar gjithashtu.

 

🕐08.00
Grushti i shtetit në Myanmar

Ushtria e Myanmarit ka marrë në dorë vendin me anë të një grushti shteti, duke arrestuar kancelaren Aung San Suu Kyi dhe pjesëtarë të tjerë të kabinetit. Ky grusht vjen pas disa ditësh tension mbi rezultatin e zgjedhjeve të fundit të nëntorit 2020.

Kancelarja 75 vjeçare Aung, presidenti Win Myint dhe pjesëtarë të tjerë Ligës Kombëtare për Demokraci, u arrestuan në rezidencën qeveritare të kryeqytetit, Naypyidaw.

Kancelarja e Myanmar-it, Aung San Suu Kyi

Drejtuesit e ushtrisë deklaruan se kanë marrë kontrollin e shtetit. Gjendja e jashtëzakonshme është shpallur në Myanmar. Pushteti i përkohshëm i ka kaluar gjeneralit Min Aung Hlaing.

Qytetarët kanë bërë me dije se mjetet e komunikimit janë shkëputur. Telefonia ka rënë tërësisht. Disa shërbime interneti janë shkëputur gjithashtu. Televizioni ka filluar transmetimet e kontrolluara të programacionit.

Reagim të menjëhershëm ka pasur edhe nga SHBA, pasi presidenti Joe Biden, është informuar nga këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan. Në një njoftim për shtyp nga Shtëpia e Bardhë, grushti i shtetit në vendin aziatik dënohet. “Çdo përpjekje për të kthyer rezultatet zgjedhore me forcë dhe për të ndaluar tranzicionin demokratik në Myanmar duhet ndaluar. Do të marrim masa ndaj përgjegjësve nëse nuk tërhiqen”.

Në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020, konfirmimi i kancelares Aung në detyrë, ngjalli reagime të shumta. Deklarata mbi grushte shteti nga ana e ushtrisë ka pasur që pas përfundimit të procesit zgjedhor. Detaje të tjera mbi situatën pritet të zbardhen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore