Lajme

MV: Enti i Statistikës nuk sqaron metodologjinë e regjistrimit


Enti Shtetëror i Statistikës në Maqedoninë e Veriut (MV) nuk i ka sqaruar ende paqartësitë e krijuara rreth regjistrimit të shtetasve rezidentë ose jorezidentë nga një person i afërm. Kujtojmë se më datë 21 të muajit janar, anëtarët e Kuvendit në (MV) miratuan ligjin për regjistrimin e popullsisë, dhe banesave në vend.

Në lidhje me këtë çështje, Drejtori i Entit, Apostoll Simovski, deklaroi se nuk do të të jepen të dhëna për përkatësinë etnike, fetare dhe gjuhësore.

Mënyra se si kjo do të realizohet nuk është sqaruar ende, pasi nuk parashikohet as në ligj dhe as në metodologjinë e regjistrimit.

Deklarata e drejtorit të Entit

Simovski ka deklaruar se u ka dhënë mundësinë ekspertëve të shqyrtojnë dispozitat e ligjit dhe metodologjisë para se të dalë me një qëndrim në fund të javës. Në një panel diskutimi për regjistrimin të organizuar nga Qendra për Liri Civile, Simovski foli për rëndësinë e regjistrimit të diasporës.

“Vlerësojmë se shteti ka interes të madh të dijë sa është numri i këtyre personave, çfarë strukture kanë sipas kategorive të moshës, gjinisë, aktivitetit në kuptimin e punësimit ose arsimimit, nga vijnë, në cilat periudha kohore janë shpërngulur dhe në cilin drejtim kanë lëvizur”, tha Apostoll Simovski.

Zëvendësdrejtori i Entit, Ilmi Selami, tha se deklarata e drejtorit është në kundërshtim me ligjin dhe metodologjinë.

Kryetari i VMRO-së

“Të gjithë këtë unë e paralajmërova se do të ndodhë. Që nga momenti i parë ata e politizuan. Në vend të operacionit statistikor, ai u shndërrua në operacion politik, garë për përqindje, garë për numra. Simovski nuk do të japë përgjigje për zhvillimin e ardhshëm të vendit”, pohoi Hristijan Mickoski, Kryetar i Organizatës së Brendshme Revulucionare Maqedonase (VMRO).

Në një komunikatë për metodologjinë e regjistrimit të diasporës, Qeveria deklaroi se gjatë regjistrimit të këtyre personave, të dhënat e pakompletuara nuk i pranon aplikacioni dhe në këtë mënyrë hiqet mundësia që të regjistrohen persona me të dhëna të pasakta.

Diaspora ka edhe mundësinë e regjistrimit në mënyrë elektronike nga 1 marsi deri më 21 prill. Metoda e regjistrimit elektronik është më e rekomandueshme nga Enti i Statistikës.

Sipas ligjit, kryetarët e komisioneve të regjistrimit në 50-të rajone do të jenë sekretarët e kryetarëve.

Ky është regjistrimi i parë pas 19 viteve. I fundit në këtë shtet u zbatua në vitin 2002. Regjistrimi i cili filloi në vitin 2011, u pezullua, pasi Komisioni i Regjistrimit dha dorëheqjen në mënyrë kolektive.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore