Lajme

Murati kritikon LDK-në për mos votim të marrëveshjes ndërkombëtare


Hekuran Murati, Ministër i Financave në Qeverinë e Kosovës

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka kritikuar deputetët e Lidhjes Demokratike, pasi këta të fundit votuan kundër marrëveshjes financiare-ndërkombëtare për reformimin e sistemit të asistencës sociale.

“Për mua ishte një veprim i papritur”, tha Murati në një konferencë për media, pas seancës në Kuvendin e Kosovës.

“Në të kaluarën, ka pasur shumë raste kur marrëveshjet ndërkombëtare ku grupet parlamentare nuk kanë marrë pjesë fare në votim, për të mos e mundësuar formimin e kuorumit, kësisoj marrëveshja është shty për seancën e radhës, por nuk ka ndodhur asnjëherë që një marrëveshje financiare ndërkombëtare të rrëzohet me vota kundër, siç ndodhi sot”, u shpreh tutje ministri.

“Ky nuk është sinjal i mirë në raport më bashkëpunëtorët tanë, sidomos me Bankën Botërore, megjithatë unë sot kam caktuar një takim virtual në orën 16:00, me drejtorin e zyrës së Bankës Botërore për rajonin, në mënyrë që ta shohim se a mund ta ri përsërisim, apo si të vazhdojmë tutje, për shkak se bëhet fjalë edhe për afate të caktuar kohore të cilat duhet t’i respektojmë”.

Për këtë mos mbështetje nga LDK, Murati reagoi edhe në llogarinë e tij në Facebook, gjatë kohës sa po mbahej seanca plenare në Kuvend, pas mos votimit të marrëveshjes ndërkombëtare për Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale.

Reagimi i tij më pas nxiti reagim të ashpër në mes të Arben Gashit të LDK-së dhe Dimal Bashës së VV-së.

Pasi pa këtë status, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi u shpreh i indinjuar duke thënë se LDK nuk do të marrë pjesë më në votime.

Pas fjalimit të Gashit, ndërhyri deputeti i VV-së, Dimal Basha, i cili i bëri thirrje LDK-së që të votojë edhe kundër marrëveshjeve me amerikanët.

Në momentin e replikës së Arben Gashit ndaj Dimal Bashës, ky i fundit u ndal tek karrigja e deputetit të LDK-së duke i thënë të mos flas.

E kjo shkaktoi nervozizëm tek LDK.

“Baju. Bajuuu”.

“Marrëveshjet ndërkombëtare për marrjen e kredive për një projekt-pilot ne e arsyetuam kundër”.

“Sepse ideologjikisht dhe teknikisht vlerësojmë se është në dëm të interesit të Kosovës. Marrëveshjet tjera i votuam për. Ju doni mu sjell me këtë gjuhë në Kuvend, kjo nuk krijon momentum bashkëpunimi”, tha ai.

S’miratohet marrëveshja për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale”

Nuk është miratuar marrëveshja e marrëveshjes së financimit mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë.

Për këtë marrëveshje 75 deputetë kanë votuar për dhe 8 kundër.

“Me 75 vota për dhe 8 kundër dhe asnjë absnetim, konstatoj se Kuvendi nuk e miraton këtë marrëveshje”, u shpreh kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Ndryshe, për marrëveshjen në fjalë, votuan gjithsej 83 deputetë të Kuvendit të Kosovës.

E njëjta u konsiderua e nevojshme nga Qeveria Kurti dhe u përkrah edhe nga dy partitë opozitare, PDK dhe AAK, mirëpo u kundërshtua nga LDK-ja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore