Lajme

“Mungesë kujdesi e frenim me vonesë” – Super-ekspertiza për aksidentin ku Hajdari goditi një fëmijë


Ilustrim: Rozeta Hajdari

“Mungesë kujdesi dhe frenim me vonesë”.

Kështu të paktën shkruhet në super-ekspertizën për aksidentin, ku ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, kishte goditur një të mitur me veturë me 10 prill të vitit të kaluar.

Emisioni KiksKosova i transmetuar në televizionin Klan Kosova, ka publikuar super-ekspertizën për aksidentit, raport ky i përgatitur nga ekspertët e komunikacionit në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike e i cili i është dorëzuar Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në raport ndër të tjera theksohet se “drejtuesja e automjetit ‘Ford Fiesta’ nuk ka treguar kujdesin e duhur gjatë lëvizjes në kushte të qarkullimit në zona urbane ku kërkesat për lëvizjen të këmbësorëve dhe lëvizjes të tjera të pamotorizuara janë më të mëdha, duke reaguar me vonesë në ndërmarrjen e veprimit të frenimit të vrullshëm me qëllim të evitimit të aksidentit”.

Ndër të tjera super-ekspertiza konstaton se Hajdari po voziste me shpejtësi më të lartë sesa shpejtësia me të cilën do të mund të evitonte aksidentin.

“Drejtuesja e automjetit ‘Ford Fiesta’ për shpejtësinë e lejuar të lëvizjes prej 50 km në orë, me frenim të vrullshëm nuk ka pasur mundësi teknike për evitimin e përplasjes së këmbësores”.

Më 10 prill të vitit të kaluar, ministrja Hajdari, kishte shkaktuar një aksident trafiku në Prishtinë.

Në aksident ishte përfshirë edhe një vajzë. Vajza ishte goditur nga vetura të cilën e drejtonte Hajdari.

Në shpjegimin e saj paksa kontrovers, Hajdari do të arsyetohej se fëmija ishte ajo që e goditi veturën, dhe jo anasjelltas.

Me shpjegimin e Hajdarit ishte pajtuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Më duhet t’i them se i besoj [sqarimit të ministres Hajdari]”, kishte thënë ai kështu duke dalur edhe kundër shpjegimit të raportit të Policisë së Kosovës ku thuhej se ministrja po voziste në shpejtësi të papërshtatshme që përbënte edhe shkakun kryesor të aksidendit.

“Me ç’kam kuptuar nuk ka shenja në asfalt të frenimit, që do të thotë se nuk ka shpejtësi të tejkaluar”, thoshte Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore