Përballje

Mourinho flet pas fitores me Romën: “Më kishin munguar këto momente në Itali”


Vjen edhe fitorja e dytë në ndeshje zyrtare e trajnerit portugez, Jose Mourinho, në krye të klubit të Romës.

Pasi mposhti në mesjavë skuadrën e Trabzonspor, në kuadër të ndeshjes së parë kualifikuese të Europa Conference Leauge, Roma me trajnerin e ri, Mourinho-n, fitoi ndeshjen e javës së parë në Serie A, përballë Fiorentinës, me shifrat 3:1.

Menjëherë pas fitores, “the special one” ka një falënderim të veçantë për tifozët, të cilët thotë se i munguan atij.

“Tifozët e Romës janë të mrekullueshëm dhe i falënderoj. Ata kanë një pasion të lartë dhe këtë e kam vërejtur gjatë kohës sa isha trajner i Inter-it”

“Ata po më vështirësojnë komunikimin me futbollistët gjatë ndeshjes, për shkak të zhurmave të mëdha, por duhet të them se ky është një problem i cili më pëlqen”, tha Jose Mourinho në konferencën për media.

Ish-trajneri i Inter-it pati fjalë të mira edhe për futbollistët e tij, sidomos për transferimin më të ri, Tammy Abraham, i cili debutoi në këtë ndeshje duke dhuruar dy asistime.

“Ne luajtëm më mirë kur ishim të barabartë në fushë, se kur kishim një lojtar më shumë. Mendoj që e merituam fitoren dhe më gëzon mënyra se si skuadra luajti e bashkuar”, theksoi Mourinho.

“Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e Abraham. E kishte një javë të vështirë, por kishte mundësi të luante për 70 minuta. Mendoj që së bashku me Shomurodov në sulm, do të bëjnë një dyshe të mirë, por ndaj Fiorentinës zgjodha një taktikë tjetër”, shtoi ai.

Në fund, trajneri portugez tha se i kanë munguar konferencat për media në Itali, pasi që sipas tij, aty diskutohet hollësisht për futboll, sepse në Angli flitet për problemet jashtë fushës.

Sa i përket rrjedhës së ndeshjes në stadiumin “Olympico” të Romës, vendasit kaluan të parët në epërsi në minutën e 26-të përmes Henrikh Mkhitaryan.

Pastaj Fiorentina barazoi rezultatin në minutën e 60-të me anë të mbrojtësit Nikola Milenkovic.

Kurse në minutat 64 dhe 79, Jordan Veretout, shnëoi dy gola për të vulosur fitoren e Romës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore