Lajme

Momentet e para nga ardhja e afganëve në Kosovë


Të dielën në ora 20:15 minuta, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, ka ateruar aeroplani i parë ushtarak i KFOR-it Amerikan me 111 afgan në ekuipazh.

Ata zbarkuan në pjesën e vjetër të aeroportit, për t’i ikur kontakteve me fluturimet e rregullta të qytetarëve në vajtje ardhje.

Në pritje të refugjatëve afgan dolën Presidentja e Vendit Vjosa Osmani, Kryeministri, Albin Kurti, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it.

Refugjatët, kryesisht janë gra, fëmijë dhe pleq, të cilët janë familjarë të bashkëpunëtorëve të NATO-s në Afganistan.

Me të arritur në aeroport, ndaj tyre filluan procedurat e verifikimit dhe më pas të gjithë i janë nënshtruar testimit për COVID-19.

Rezultatet e testit, për të gjithë dolën negativ.

Ministria e Punëve të Brendshme bashkë me zyrën e Presidentes së Kosovës, kishin organizuar shpërndarjen e pakove të vogla me pak ushqime dhe pakove higjienike për sapo të arriturit në Kosovë, ka bërë të ditur për Albanian Post, Ferdinand Nikolla, Këshilltar Politik i Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

“Shërbimi shëndetësor ka qenë aty nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, bashkë me ekipin për testim për COVID-19. Të gjithë janë testuar dhe kanë marrë shërbimet shëndetësore varësisht nga nevoja”, ka treguar më tej, Nikolla për Albanian Post.

Nuk është dhënë shifra e saktë se sa refugjatë do të strehohen përkohësisht në Kosovë, në ish kampin e Bechtel Enka-s, i cili gjendet shumë afër kampit të Bondsteel-it, në dalje të qytetit të Ferizajt.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore