Lajme

Refugjatët afganë u testuan menjëherë për COVID-19, rezultuan negativë të gjithë


Me të arritur në Aeroportin Nërkombëtar të Prishtinës, 111 refugjatët afganë iu nënshtruan disa procedurave, për të cilat ishte kujdesur Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me zyrën e Presidentes së Kosovës.

“111 refugjatët fillimisht i janë nënshtruar procesit të verifikimit, pastaj u janë bërë disa teste, u është dhënë ndihma shëndetësore atyre që kanë pasur nevojë”, ka thënë për Abanian Post, Ferdinand Nikolla, këshilltar politik i Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

“U është dhënë nga një pako ushqimore, me pak ushqime, sepse ata sapo kanë ardhur nga rruga. Të gjithë kanë marrë edhe nga një pako të vogël higjienike, që u kemi përgatitur ne”, ka vazhdur më tej Nikolla.

“Shërbimi shëndetsor ka qenë aty nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, bashkë me ekipin për testim për COVID-19. Të gjithë janë testuar dhe kanë marrë shërbimet shëndetësore varësisht nga nevoja”, ka treguar Nikolla për Albanian Post.

Pas testimit për COVID-19 të gjithë refugjatët afganë kanë rezultuar negativë.

Refugjatët e parë nga Afganistani kanë ateruar në Prishtinë rreth orës 20:15 minuta, dhe të gjitha procedurat me ta janë kryer në terminalin e vjetër të Aeroportit Ndëkombëtar në Prishtinë, “Adem Jashari”.

Pas kontrolleve procedurale grupi do të vendoset në kampin e kompanisë “Bektel-Enka”, që është transformuar në qendër strehuese.

Për sigurimin e tyre të ardhjes në vend janë parë forca të shumta të Policisë së Kosovës.

Në pritje të 111 afganëve të parë në Kosovë, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës ‘Adem Jashari’, ishin të pranishëm edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministri, Albin Kurti.

Në aeroport të dielën mbrëma, për të pritur refugjatët afganë kishte dalë edhe Minsitri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ndër të tjera ministri Sveçla, ka treguar se ky është vetëm avioni i parë i refugjatëve, të tjerët mund të vinë nga e hëna e tutje.

“Patë një numër të madh gra, fëmijë dhe pleq, të cilët janë familjarë të bashkëpunëtorëve të NATO-s në Afganistan. Këta do të vendosen në ish-kampin e Bechtel Enka-s, dhe do të jenë vetëm grupi i parë i shtetasve afganë të cilët ne do t’i strehojmë”, ka deklaruar Sveçla në një konferencë për media nga aeroporti, pas arritjes së refugjatëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore