Lajme

Mjeku i Urologjisë: Ministria e Shëndetësisë po promovon projekte për të cilat s’ka dhënë asnjë kontribut


Foto nga arkivi.

Mjeku i Klinikës së Urologjisë, Liridon Selmani pas vizitës së ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, në këtë klinikë ka thënë se institucioni kryesor i Shëndetësisë ka promovuar projekte për të cilat nuk ka dhënë asnjë kontribut.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ai ka thënë se komunikata e MSH-së është vetëm një reagim mosmirënjohës ndaj tyre.

“Më shumë gjasë postimi i MSH kishte qëllim që të promovojë punën e mirë që po bëhet në Klinikën e Urologjisë dhe me këtë reagim nuk po tentoj që të përvetësoj meritat – ky postim paraqet vetëm një reagim ndaj mosmirënjohjes”, ka shkruar Selmani.

Ai tutje ka bërë të ditur se në mënyrë që të plotësojnë shërbimet për pacientët kanë marrë pjesë edhe në trajnime jashtë vendit për të cilin janë financuar vetë.

“Duke dashtë që pacientëve Kosovar t’u ofrojmë shërbime moderne, në mënyrë që të njëjtët të mos kërkojnë zgjidhje jashtë vendit si dhe duke pas për qëllim që të fuqizojmë besimin në institucionet publike shëndetësore së bashku me kolegun dhe mikun tim Dr. Artan Elshanin morëm pjesë në trajnimin tre mujor në Firat University në Elazig të Turqisë”.

“Gjithë qëndrimi ynë atje u mundësua nga ambicia dhe vetëfinancimi ynë, madje ShSKUK më shumë vështirësi na kishte dhënë “pushim 3 mujor pa pagesë” në mënyrë që të na ruhet vendi i punës kur të kthehemi”.

Ndërsa për procedurat laparoskopike të cilat tashmë kanë filluar, ka shtuar se kjo klinikë nuk kishte gjetur mbështetje nga MSH-ja.

“Jam i lumtur që sot po shënohet fillimi i procedurave laparoskopike në Klinikën e Urologjisë plotësisht nga stafi vendor. Para 6 muajsh ideja për fillimin e laparoskopise në Klinikën e Urologjisë dukej iluzore dhe nuk gjente përkrahjen e menaxhmentit e as të Ministrit të atëhershëm të Shëndetësisë”.

Duke shtuar se shpreson që nga ana e ministrisë të sigurohen akoma aparatura.

“Uroj që MSh të sigurojë ende aparatura për fillimin e procedurave të Nefrolitotomisë Perkutane për të cilën po ashtu posedojmë Certifikimin nga Klinika ku jemi trajnuar”.

Ndryshe, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), vazhdimisht është raportuar se ka mungesë të aparaturave për shërbime shëndetësore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore