Lajme

Misteri i “dosjeve të Speciales” – ende nuk dihet kush i dërgoi në zyrat e OVL të UÇK-së


Person me kapelë tri herë kishte dërguar “dosje të Speciales” në OVL së UÇK-së vitin e kaluar

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Hagës, Christopher Bennett, nuk ka treguar për Albanian Post kur është pyetur nëse është duke u hetuar dikush për “rrjedhjen” e dokumenteve të pretenduara konfidenciale, të cilat u tha se janë pranuar në mënyrë anonime nga Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shtator të vitit të kaluar.

“Faleminderit për komunikimin tuaj. SPO nuk diskuton detaje të hetimit me media”, ka thënë shkurt Bennett.

Gjykata Speciale, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar e Prokurorisë në Hagë u formua nga autoritetet në Kosovë pas insistimit të bashkësisë ndërkombëtare.

AP ka pyetur për këtë çështje edhe Prokurorinë Speciale të Kosovës, nëse nga Haga kanë kërkuar asistim në këtë rast, pasi kështu kishin njoftuar vitin e kaluar, duke thënë se “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, është e gatshme të asistojë, nëse diçka e tillë kërkohet”.

Por, nga ky organ i akuzës nuk kanë e kanë pohuar as mohuar një gjë të tillë.

Ndërkaq avokati i OVL-së së UÇK-së, Tomë Gashi, theksoi për AP se “kontakti i fundit me Specialen ka qenë para disa muajve kur më kanë ftuar si avokat i OVL të UCK për t’i marrë një pjesë të pajisjeve të cilat Prokuroria e Gjykatës Speciale ne Hagë i kishte marrë në zyrat e OVL të UCK-së”.

“Ne edhe ashtu kemi kërkuar që ta zbulojnë se si dhe kush i solli dokumentet në OVL e të cilat vërtetojnë atë që e kemi ditur, pra bashkëpunimin e organeve të Serbisë me Gjykatën Speciale. Pra nuk kemi asnjë informacion se çka po ndodh me identifikimin e personave që i kanë sjellë dokumente në OVL”, ka potencuar Gashi.

Për publikimin e këtyre “dosjeve” kryetari dhe nënkryetari i OVL-së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, u arrestuan më 25 shtator të vitit 2020, në Prishtinë, dhe u transferuan në njësinë e paraburgimit të DSHK-së, ndërkohë që aktakuza ndaj ish-krerëve të OVL së UÇK-së u konfirmua më 11 dhjetor të vitit 2020, teksa u bë publike tre ditë më vonë.

Arrestimi i kryetarit të OVL-së UÇK-së, Hysni Gucati, më 25 shtator të vitit të kaluar

Sipas aktakuzës, midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, në tri konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej “Ligjit të Dhomave të Specializuara”, ndër të cilat edhe të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve të mundshëm.

Gjykata Speciale, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar e Prokurorisë në Hagë u formua nga autoritetet në Kosovë pas insistimit të bashkësisë ndërkombëtare.

Gjykata është themeluar pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Për formimin e kësaj gjykate u deshën edhe ndryshime kushtetuese, që u miratuan nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore