Kultura

Miratohet restaurimi i Kalasë së Prezës


Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka miratuar projektin për restaurimin e Kalasë së Prezës.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore shprehet se, në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019, ka hartuar një listë monumentesh me prioritet ndërhyrjeje dhe ka marrë masat për hartimin e projekteve.

Kalaja e Prezës, e pozicionuar në një nga zonat më tërheqëse në Tiranë, të ofron një pamje të mrekullueshme. Kalaja 450-vjeçare rrethohet nga themelet e mbetura të kullave. Ajo çfarë e bën mbresëlënëse këtë objekt arkitekturor, është mosha e gurëve me të cilët është ndërtuar.

Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi një shkëmb, i cili zgjatet duke u ulur në drejtim të veri-jugut. Ana lindore e kalasë është e mbrojtur nga vetë terreni, kurse ajo perëndimore përbën një territor të sheshtë, prandaj dhe fortifikimi është përqendruar pikërisht në këtë pjesë.

Kalaja është burimi i historive dhe, sigurisht, dominohet nga shkëlqimi i epokës së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti.

Lulëzimin më të madh e ka pasur në shekullin XV. Kalaja ka shërbyer si pikë e fortifikuar për të mbrojtur Krujën nga rreziqet që mund t’i vinin nga deti.

Kalaja e Prezës është një bukuri në vetvete me pamje spektakolare dhe Preza mbetet një nga destinacionet atraktive të turizmit ditor edhe për të shijuar verën e vreshtave të zonës.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore