Lajme

Miratohet në parim Projektligji për dërgimin e FSK-së jashtë vendit


Ilustrim

Me 63 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim në Kuvendin e Kosovës është miratuar në parim Projektligji për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Ky Projektligj është rekomanduar për miratim nga komisioni funksional për çështje të sigurisë dhe të mbrojtjes, dhe është mbështetur nga partitë opozitare.

Para se të hidhet në votim, projektligji është arsyetuar nga Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj i cili ka thënë se ky ligj ka për qëllim të rregulloi mënyrën e procedurave të dërgimit të FSK-së jashtë vendi.

“Procedurat e dërgimit të FSK-së jashtë vendit janë në përputhje me ligjin aktual të FSK-së që të jetë i gatshëm për të marrë pjesë në misione ndërkombëtare”, ka thënë Mehaj.

Sipas tij, “FSK-ja mbi bazën ligjore aktuale dhe marrëveshjeve bilaterale me vende partnere ka marrë pjesë në disa misione humanitare stërvitje e ushtrime të përbashkëta jashtë vendi”.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hysen Berisha, ka shprehur mbështetjen për këtë projektligj, por që ka pasur dy vërejtje.

“E para në nenet 9-10 përmendet aktivitetet të ndryshme ushtarake, por nuk përkufizohen siç e thekson neni 9 arsimimi, mendoj se ky nen e bënë barazimin e dërgimeve me ushtrimet përgatitore. Të gjitha këto aktivitete duhet të përfshihen në këto dy plane dhe nuk kanë të bëjnë me mënyrën e drejtpërdrejtë operative të forcës”, tha Berisha.

Në anën tjetër deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se presidentja e vendit duhet të jetë i njoftuar me vendimin e qeverisë.

“Presidentja duhet të njoftohet me vendimin e qeverisë dhe të jetë në harmoni me Kushtetutën e vendit, pasi ajo është Komandantja supreme e FSK-së”, tha Zemaj.

Ndërsa deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrirjaj ka thënë se në parim, partia e saj do ta mbështes këtë projektligj duke parë rëndësinë që ka.

“Duke parë që është projektligj i rëndësisë së veçantë ne do ta përkrahim, meqenëse është në lexim të parë ne mund t’i dërgojmë komentet deri në lexim të dytë”, tha ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore