Lajme

Miratimi i raportit për anëtarësimin e Kosovës në KiE, Gërvalla: Hiqet fusnota, ftohemi si shtet e jo si vend


Donika Gervalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, pas miratimit në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të raportit të raportueses për Kosovën në KiE, Dora Bakoyannis, për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, ka thënë se raporti i aprovuar të mërkurën rekomandon që Kosova të ftohet si shtet e jo si vend.

Këto komente, Gërvalla i ka bërë përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook.

“Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës pa asnjë kusht shtesë. Ky është me pak fjalë rezultati i votimit që u mbajt sot në Paris, në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe ku para pak minutash u miratua me shumicë mbresëlënëse votash opinioni, i cili rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pa asnjë kusht shtesë. Të gjitha propozimet e sotme për vendosjen e parakushteve të ndryshme janë refuzuar”, shkroi Gërvaqlla.

“Raporti i aprovuar sot rekomandon që Kosova, bazuar në nenit 4 të Statutit të Këshillit të Evropës të ftohet si shtet (state), e jo si vend (country)”, shtoi.

Me miratimin e këtij raporti është e hapur rruga për votimin në Asamblenë Parlamentare , i cili mbahet në mesin e muajit prill.

Suksesi i sotëm, sipas Gërvallës, “si të gjitha sukseset e mëdha të Kosovës, është rezultat jo vetëm i punës së palodhur të institucioneve të Republikës sonë dhe mbështetjes kolosale të miqve të shumtë të Kosovës”.

“Kosova është e gatshme dhe e përgatitur për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës! Sa më shpejt, aq më mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”.

Kryediplomatja kosovare ka bërë të ditur se opinioni, ndër hapa të tjerë të rëndësishëm për trajtimin e Kosovës si shtet të barabartë me të gjitha shtetet e tjera, kërkon largimin e fusnotës, e cila që nga viti 2008 është përdorur gjithmonë kur është përmendur Kosova në Këshillin e Evropës.

Miratohet raporti i Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KiE

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore