Lajme

Ministrja Nagavci paralajmëron ndryshim të Kodit Penal për dënimet e ngacmimeve seksuale ndaj fëmijëve


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se së shpejti do të shtrojë kërkesë për plotësim dhe ndryshim të Kodit Penal, që sipas saj, do të shërbejë në ashpërsim të dënimeve ndaj kryerësve të veprave penale ndaj fëmijëve.

Ajo ka theksuar se kjo ide ka ardhur si pjesë e punëtorisë së organizuar nga MASHT, për sigurimin e cilësisë, mbrojtjen e fëmijëve dhe eliminimin e pengesave të qasjes në arsim.

“Synimi im është bashkëpunimi efikas me të gjitha palët, niveli lokal, qendror, prindërit, organizatat e shoqërisë civile në mënyrë që të punojmë bashkërisht për një edukim të mirëfilltë për vajzat dhe djemtë, rritjen e vetëdijesimit për raportimin e çfarëdo rasti të dhunës, menaxhimin e suksesshëm të rasteve eventuale të dhunës ndaj fëmijëve dhe sidomos parandalimin”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ajo po ashtu, ka treguar se shkalla e ngacmimeve seksuale ndaj fëmijëve është e lartë.

“Në analizat fillestare mbi nivelin e ngacmimeve në bazë të raporteve dhe të dhënave të MASHTI dhe shoqërisë civile, gjejmë shkallë të lartë të ngacmimit seksual të fëmijëve dhe politikën ndëshkimore më të butë në rajon”, është shprehur Nagavci.

Ministrja Nagavci, ka theksuar se trajtimi i rasteve të tilla aktualisht bëhet nëpërmjet “Ligjit për mbrojtje të fëmijëve Nr. 14 / 17”, i cili precizon mbrojtjen e fëmijës, nëpërmjet plotësimit të kuadrit ligjor e institucional, në zbatim të Kushtetutës së Kosovës, të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës, të akteve ndërkombëtare që veprojnë në këtë fushë, si dhe të legjislacionit në fuqi.

Përveç kësaj, këto raste trajtohen edhe përmes “protokollit për parandalim dhe referim të dhunës në IAP 21/2013, udhëzimit Administrativ 05/2013 për Parandalimin dhe Ndalimin e Formave të Rrezikshme të Punës së Fëmijëve në Kosovë, U.A. 01/2019 për mbrojtjen e fëmijëve në internet, U.A. nr. 13/2005 për masat ndaj prindërve, fëmijët e të cilëve nuk janë regjistruar apo nuk vijojnë arsimin obligues”.

Ajo ka sqaruar, se punëtoria ë nisur më 24 maj do të vazhdojë deri me datën 26 dhe disa nga rezultatet që MASHT-i, pret t’i arrijë janë, mekanizma koordinues funksional në nivel qendror, komunal e në nivel shkolle, sistem funksional i paralajmërimit të hershëm të braktisjes, parandalim të dhunës dhe dukurive negative e të tjerë.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore