Lajme

Ministrja Haxhiu procedon projektligjin për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se kanë proceduar për në Qeveri projektligjin për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Ky Projektligj i cili është punuar nga ekspertët më të mirë të fushës (vendor dhe ndërkombëtar), përmban dispozita materiale dhe procedurale të cilat synojnë verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar të personave zyrtarë, familjarëve të tyre dhe personave të ekspozuar politikisht”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ajo tutje ka shtuar se, “projektligji garanton respektim të drejtave të palëve në procedurë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe dokumentet ndërkombëtare”.

Ministria e Drejtësisë.

Haxhiu theksoi se ky projektligj ka për qëllim ndalimin e keqpërdorimit të mirave publike.

“Parandalimi dhe ndëshkimi i keqpërdorimit të të mirave publike, ka qenë dhe mbetet njëri ndër top prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe aprovimi e implementimi i këtij Ligji, është një hap tutje i domosdoshëm për arritjen e këtij synimi”.

Ajo falënderoi edhe anëtarët e këtij grupi punues për bashkëpunim.

“Falënderoj të gjithë anëtarët e grupit punues për kontributin që kanë dhënë në hartimin e këtij projektligji”, ka shkruar Haxhiu.

Byroja synon verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar të personave zyrtarë, familjarëve të tyre dhe personave të ekspozuar politikisht.

Njëkohësisht projektligji garanton respektim të drejtave të palëve në procedurë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe dokumentet ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore