Lajme

Ministria e Mbrojtjes: FSK-ja në asnjë formë nuk nderon të rënët serb


Fotografi e publikuar nga ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rhode.

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar pas disa pretendimeve në media se Togu i Gardës Ceremoniale ka bërë nderime për të rënët serb të vitit 1912.

Ministria, këto raportime i ka quajtur të pavërteta.

“Me datën 11.11.2022, Togu i Gardës Ceremoniale dhe Orkestra Frymore e FSK-së, me ftesë të Ambasadës franceze dhe Ambasadës gjermane, ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar për të nderuar rënien e ushtarëve francez dhe gjerman, gjatë Luftës së Parë Botërore, në periudhën 1914-1918”.

Sipas këtij dikasteri, pllakat përkujtimore të të rënëve të këtyre dy kombeve janë të vendosura në një hapësirë të përbashkët me pllakën e të rënëve serb të vitit 1912-1918.

“Por që si ngjarje në periudhë kohore e as me aktivitetin në fjalë nuk kanë asnjë lidhje”, sqarohet nga ministria.

“Theksojmë edhe njëherë se Togu i Gardës Ceremoniale ka marrë pjesë si formacion mbështetës i Ambasadës franceze, nën organizimin e tyre, me qëllim nderimin e ushtarëve të rënë francez dhe gjerman”.

Pozicionimi fizik i gardistëve tanë është imponuar nga pozita e pllakave memoriale dhe platosë përkatëse, “në asnjë formë nuk nderohen të rënët serb”.

“Ministria e Mbrojtjes dhe FSK nderojnë gjithmonë vetëm popujt mbrojtës të vlera të lirisë, paqes dhe demokracisë dhe assesi ata që kanë qenë faktor destabilizues në secilën etapë dhe autorë të krimeve e terrorit”.

Ndryshe, garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kishte marrë pjesë me 11 nëntor në ceremoninë e 104-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në varrezat e krishtera në Arbëri të Prishtinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore