Shqipëria

Minatorët protestë para Ministrisë së Infrastrukturës, kërkojnë miratimin e statusit


Minatorët kanë dalë në protestë këtë të enjte para Ministrisë së Infrastrukturës duke kërkuar “të drejtën”, miratimin e statusit të tyre të veçantë me ligj.

Protesta e tyre vjen në Ditën Ndërkombëtare të Minatorëve, por ata kanë ravijëzuar se kanë 25 vite që po e kërkojnë statusin.

“Statusi është e drejta jonë, dhamë gjakun në minierë”, kanë thënë ata teksa kanë kërkuar takim me Ministren Belinda Balluku.

Ata kanë ndezur qirinj për minatorët e vrarë në galeri, ndërkohë që kanë fajësuar ministrinë për çdo humbje jete të tyre.

“Ministria të ngrejë grupin e punës, ka përgjegjësi”, kanë theksuar protestuesit ndër të tjera.

Ndërkohë, pjesë e protestës kanë qenë edhe përfaqësues të shoqërisë civile.

“Para një ore pamë që një vendim i një grupi prej 9 deputetësh dërgoi në parlament ligjin për heqjen e zonave të mbrojtura dhe në më pak se 10 minuta u votua, por për minatorët nuk shpenzojnë asnjë minutë, për t’i shërbyer popullit të tyre. Kanë shpenzuar vite për të na shtypur, për të na larguar nga vendi e për të na varfëruar”, ka thënë një përfaqësues i qeverisë civilë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore