Lajme

Mikrobiologu Raka shpjegon se çka është doza e tretë e vaksinës


Mikrobiologu Lul Raka, përmes një shkrimi në faqen e tij në Facebook, ka shpjeguar dozat shtesë të vaksinave anti-Covid.

“Dozat përforcuese u jepen personave të shëndoshë, të cilët e kanë përfunduar serinë primare të vaksinimit dhe kanë zhvilluar përgjigje të mirë imunitare. Ky imunitet mund të ulet me kalimin e kohës, prandaj doza përforcuese jepet për ta “përforcuar” imunitetin”, shkroi Lul Raka.

“Doza e tretë (ose doza shtesë) u jepet personave me sistem imunitar të kompromituar apo të dobësuar rëndë, pasi që ata nuk arrijnë të krijojnë nivel adekuat të mbrojtjes me vaksinimin standard. Sistemi imunitar i tyre mund të kompromitohet për shkak të sëmundjes shoqëruese ose terapisë mjekësore”.

Pyetja kryesore lidhur me kohëzgjatjen e imunitetit pas vaksinimit kundër Covid ende nuk ka përgjigje përfundimtare, shkruan Raka, por, se disa të dhëna të fundit shkencore të nxjerra nga vendet që kanë programe të avancuara të vaksinimit, dëshmojnë se mbrojtja kundër infeksionit SARS-CoV-2 fillon të ulet me kalimin e kohës pas dozave fillestare të vaksinimit, veçanërisht tek personat me rrezik më të lartë ose tek ata që janë vaksinuar në fillim.

“Prandaj, sipas këtyre rezultateve do të nevojitet një dozë përforcuese e vaksinës për të rritur në maksimum mbrojtjen vaksinale dhe për të zgjatur qëndrueshmërinë e veprimit të saj”, thotë ai.

“Nuk ka ende një konsensus midis shkencëtarëve për nevojën e zbatimit të dozave përforcuese apo të treta të vaksinave, por me rritjen e frikës nga valët pasuese pandemike dhe nga bllokadat e tjera, të cilat janë po ashtu të kushtueshme, një numër i shteteve tashmë kanë filluar t’u japin shtetasve të tyre dozat përforcuese ose të treta të vaksinës”, shpjegon Mikrobiologu Raka.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore