Lajme

Miftaraj: Njohja e pasaportave ilegale serbe – dështim kolosal i diplomacisë së Kosovës


Ehat Miftaraj

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), nëpërmjet një postimi në “Facebook” të mërkurën, konsideroi se miratimi i vendimit për liberalizimin e vizave për serbët e Kosovës që posedojnë pasaporta të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), në radhë të parë paraqet “deshtim kolosal” të diplomacisë së Kosovës.

Parlamenti Evropian (PE) miratoi të martën vendimin për heqjen e vizave edhe për bartësit e pasaportave të lëshuara nga e ashtuquajtura “Zyrë Koordinuese” për serbët në Kosovë. Në favor të vendimit në fjalë u shprehën 406 eurodeputetë, kundër 97 dhe 94 abstenuan. Miftaraj e cilësoi “vendim skandaloz” këtë hap, por kërkoi llogari nga krerët e shtetit.

“Qeveria e Kosovë, perfshirë [kryeministrin, zëvendëskryeministrin dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës] Albin Kurtin, Besnik Bislimin dhe Donika Gervallën, do të duhej të sqaronin publikun për këtë deshtim të tyre. Ky votim është fatura që Republika e Kosovës e paguan për shkak të tallava diplomacise dhe veprimeve amatoreske”, shkroi ai.

Çështja e pasaportave të lëshuara nga Serbia për serbët e Kosovës është lënë jashtë rregullores për liberalizimin e vizave për Serbinë në vitin 2009, por edhe për Kosovën në vitin 2024, në kuptimin që pjesëtarët e komunitetit serb që posedojnë pasaporta speciale të Serbisë të aplikojnë dhe të marrin pasaportën kosovare. Por, kjo tash pritet të ndryshojë.

Komiteti i PE-së për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Punët e Brendshme (LIBE) miratoi më 9 prill raportin për heqjen e regjimit të vizave për serbët e Kosovës që posedojnë pasaporta të lëshuara nga autoritetet serbe, ndërsa Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (COREPER) – organi kryesor përgatitor i Këshillit të BE-së – mbështeti raportin më 11 prill.

Votimi i PE-së është hapi i fundit drejt vendimit për heqjen e vizave për bartësit e pasaportave serbe që në Kosovë konsiderohen ilegale. Në pasaportat e lëshuara nga Serbia për serbët që jetojnë Kosovë, vendbanimet e Kosovës figurojnë vendbanime të Serbisë. Për këtë arsye, autoritetet kosovare e kundërshtuan këtë hap duke e cilësuar shkelje të integritetit territorial.

Pas votimit në seancën e 23 prillit 2024 – seanca e fundit plenare e përbërjes aktuale të PE-së sepse midis 6 dhe 9 qershorit do të mbahet cikli i ri zgjedhor për ulëset e legjislativit të bllokut – mbetet vetëm që Këshilli i BE-së ta formalizojë vendimin dhe ai të publikohet në gazetën zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore