Lajme

Miftaraj: Ministres Hajdari t’i ndërtohet një zyre në Pallat të Drejtësisë


Drejtori i Institutit të Kosovës, Ehat Miftaraj.

Drejtori i Institutit të Kosovës, Ehat Miftaraj, ka kërkuar që ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë t’i ndërtohet një zyre në pallat të drejtësisë.

Miftaraj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se këtë javë ministrja më shumë ka kaluar kohë në gjykata sesa në ministri.

“Rozeta Hajdarit, një zyrë në pallat të drejtësisë. Më shumë ka kaluar këtë javë kohë në sallë të gjykatave sesa në pozitën e Ministres për çka paguhet nga buxheti i Kosovës. Integriteti ZERO!”.

Edhe të premten ka vazhduar seanca ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila kishte goditur me veturë një fëmijë në muajin prill të vitit 2022.

Pas seancës së fundit, përfaqësuesi i palës se dëmtuar ka deklaruar se ekspertët kanë konstatuar se vetura e ministres Hajdari s’kishte gjurmë të frenimit në momentin e aksidentit

Gjykata Themelore e Prishtinës, ka vendosur ta mbyllë për publikun seancat ndaj ministres.

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari. Foto: Albanian Post.

Sipas super-ekspertizës të cilën e kishte siguruar Albanian Post, thuhej se ministrja Hajdari në bazë të shikimi të vendit të ngjarjes nuk ka mundur ta evitojë aksidentin pasi ishte duke vozitur më shpejt se që duhet.

“Drejtuesja e automjetit ‘Ford Fiesta’ për shpejtësinë e lejuar të lëvizjes prej 50 kilometra me frenim të vrullshëm nuk ka pasur mundësi teknike për evitimin e aksidentit”, thuhet në super-ekspertizë.

Po ashtu sipas super-ekspertizës, ministrja Hajdari do duhej të ishte “më e kujdesshme” gjatë ngasjes së veturës në një zonë urbane dhe se ka frenuar me vonesë.

“Drejtuesja e automjetit duke lëvizur në zonë urbane është dashur të ketë kujdes të shtuar ndaj pranisë së këmbësorëve në lëvizje në atë pjesë. Drejtuesja e automjetit ka reaguar me vonesë në ndërmarrjen e veprimit të frenimit të vrullshëm me qëllim të evitimit të aksidentit”.

Megjithatë, ekspertët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike me rastin e realizimit të superekspertizës nuk e kanë bërë ekzaminimin e gjendjes teknike të sistemit të frenimit të veturës së ministres.

Në anën tjetër, Hajdari duke u munduar të shfajësohet, pati dal sqarim në llogarinë e saj në Facebook, ku thoshte se nuk ishte ajo që goditi fëmijën, por e kundërta ishte e vërtetë.

“Fëmija u përplas me makinën time”, pati thënë ajo.

Madje, edhe pa një vendim gjyqësor të formës së prerë, Hajdarit në mbrojtje i kishte dalë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Ka qenë bashkë në veturë me motrën e saj me aftësi të kufizuara dhe me çka kam kuptuar nuk ka shenja të frenimit në asfalt, që do të thotë se nuk ka pasur shpejtësi me tepër se ç’duhet”, kishte theksuar Kurti.

Por, se ishte fajtore apo jo ministrja Hajdari, do vendos Gjykata Themelore në Prishtinë, ku edhe do mbahet këtë të mërkurë seanca gjyqësore për këtë rast në ora 13:30.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore