Sport

Mick Schumacher lirohet nga spitali pas aksidentit të frikshëm


Piloti i Haas, Mick Schumacher është në gjendje të mirë shëndetësore, pas aksidentit të frikshëm që pësoi në kualifikimet e Çmimit të Madh të Arabisë Saudite.

Përmes një postimi në profilin e tij në Twitter, Schumacher tha se gjithçka është në rregull me të, teksa falënderoi fansat për kujdesin ndaj tij.

“Përshëndetje të gjithëve, thjesht doja të them se jam mirë. Faleminderit për mesazhet e mira. Makina e Haas ndihej mirë, do të kthehemi më të fortë”, ka shkruar Schumacher.

I biri i shtatë herë kampionit botëror në Formula 1, Michael Schumacher, e pati një përplasje të frikshme në një kthesë pasi e humbi kontrollin e makinës.

Si rezultat i këtij aksidenti, 23 vjeçari përfundoi në spital, derisa në pistë u ngrit flamuri i kuq për t’u futur ekipi mjekësor.

Ai më pas u transferua me helikopter në Spitalin e Forcave të Armatosura, ‘King Fahad’ në Jeddah, për t’i kryer kontrollet e mëtejshme.

Pas aksidentit, skuadra njoftoi se Schumacher nuk do të marrë pjesë në Grand Prix-in e planifikuar për të dielën, duke shtuar se vetëm një nga pilotët e tyre, Kevin Magnussen, i cili u kualifikua i 10-ti për garën e së dielës, do të marrë pjesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore