Film

Michelle Obama vjen me një shfaqje gatimi dedikuar fëmijëve


Michelle Obama do të jetë pjesë e një shou në Netflix, që ka për qëllim t’u mësojë fëmijëve kënaqësinë e gatimit karshi ngrënies së ushqimeve të gatshme.

Ajo do ta luajë rolin e pronares së një supermarketi karshi Waffles and Mochi, nga The Land of the Frozen Food.

Ish-Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ka përshkruar serinë, që quhet Waffles + Mochi dhe do të lansohet muajin e ardhshëm, si “shou i ngrohtë dhe magjik”.

Ajo dhe bashkëshorti i saj Barack Obama janë ndër producentët ekzekutivë të shout.

Çifti pati nënshkruar marrëveshje për prodhimin e serive dhe filmave për Netflix më 2018. Produktet e saj përfshijnë Becoming, dokumentar i vitit 2020, i bazuar në autobiografinë e saj shumë të shitur.

Tek Waffles + Mochi, ajo do ta ndihmojë çiftin e kukullave, që janë ngopur duke ngrënë akullore dhe ëndërrojnë të bëhen shef kuzhine.

Michelle ka folur në superlativ për shoun, të cilin e ka quajtur “zgjatim të punës për mbështetjen e shëndetit të fëmijëve si zonjë e parë”.

“Unë do të doja shumë që ky shou të ekzistonte kur po rriteshin vajzat e mia, sepse është i atij tipi që mund të shikohet me familje dhe u jep prindërve qetësinë mendore duke ditur që fëmijët e tyre mund të mësojnë diçka, po ashtu”.

Kjo nuk është hera e parë që Michelle Obama bën punë që ndërlidhet me kukullat. Më 2013, ajo pati ftuar karakteret e Sesame Street në Shtëpinë e Bardhë, si pjesë e kampanjës për ta ndryshuar mënyrën e ushqimit të fëmijëve në Amerikë dhe për ta luftuar obezitetin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore