Shqipëria

Meta rikthen në Kuvend ligjin “Për Bashkëqeverisjen”: Shkel kushtetutën dhe autonominë e pushtetit vendor


Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për Bashkëqeverisjen”, që sipas Qeverisë synon “rikonceptimin dhe riorganizimin institucional të Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, duke synuar të rrisë cilësinë e ofrimit të shërbimeve publike”.

Meta ka bërë me dije se arsyet ligjore të rikthimit lidhen me faktin se kjo nismë, “cenon dispozita konkrete të Kushtetutës dhe parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, parimin e autonomisë vendore, parimin e sigurisë juridike, hierarkinë e akteve, si dhe centralizon edhe më shumë kontrollin dhe pushtetin tek një institucion në varësi direkte nga Kryeministri”.

“Bie ndesh, krijon mbivendosje dhe nuk është në harmoni me parashikimet e ligjit nr. 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”.

Gjithashtu sipas tij, bie haptazi ndesh me ligjin për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”.

Çfarë përfshin projektligji?

Komisioni i Ligjeve, të martën e 19 tetorit, miratim në parim projektligjin për bashkëqeverisjen, me 12 vota pro dhe gjashtë kundër.

Shqyrtimi i tij solli debate për mënyrën e funksionimit.

Çfarë përfshin Ligji?

Ai përbën një nismë për rikonceptimin dhe riorganizimin institucional të Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, duke u nisur nga qëllimi i përfshirjes së qytetarëve.

Kjo ka të bëjë gjithashtu me përfshirjen e teknologjisë në dhënien e shërbimeve.

Sipas ligjit, Agjencia, në bashkëpunim me institucionin e administratës shtetërore, heton kryesisht të gjitha faktet dhe vlerëson të gjitha rrethanat e nevojshme për kontrollin e veprimtarisë administrative, të administratës shtetërore.

“Kur është e nevojshme kryerja e hetimeve të thelluara për konstatimin e fakteve të nevojshme të çështjes, titullari i institucionit, me paraqitjen e kërkesës së drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë, miraton krijimin e një grupi pune, pjesë e të cilit do të jenë personat e ngarkuar nga drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë sipas përcaktimit në kërkesë”, shkruhet në ligj

Ndërkohë, mes kompetencave, gëzon të drejtën e masave disiplinore për funksionarët e institucioneve që shkelin vendimet e saj me gjoba, deri edhe në largim nga puna.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore