Shqipëria

Meta i “papenduar” për Presidencën, por me padurim për ta lënë atë


Kreu i Shtetit, Ilir Meta, nuk është i penduar aspak që e ka pranuar përpara pesë vjetësh postin e Presidentit të Republikës, por padurimin që ai ta lërë këtë karrige pushteti, nuk e fsheh.

I ftuar në emisionin “Quo Vadis” në Vizion Plus, Meta ka folur mbi zgjedhjen e tij në Presidencë.

“Unë jam zgjedhur me propozim të socialistëve, pasi Partia Demokratike e refuzoi ofertën për të marrë postin”, tha ai.

Gjithsesi, nuk e ka mohuar se zgjedhja e asaj kohe, ka qenë e imponuar nga rrethanat. Por, ai nuk është pishman mbi pranimin e detyrës.

Madje, Meta u shpreh edhe krenar për atë çfarë ka bërë në pesë vjetët e tij në Presidencë.

Gjithsesi, data e largimit të tij nga institucioni, nuk është e largët. Në korrik, Meta do ta lërë postin. Të ardhmen politike, e ka të qartë.

“Unë për sa kohë jam president, nuk dua të përgjigjem të ardhmes politike. Por, pas korrikut, do të jem në tjetër pozitë dhe më i hapur për çdo pyetje tjetër”.

Teksa, në emisione të mëparshme, ai e ka theksuar se jo vetëm që do të zbresë aktiv në arenën politike, por do të jetë “super aktiv”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore