Libra

Mësoni “Çka mund të mësojmë sot nga Hegeli?”


Libri i fundit i profesorit Blerim Latifi dhe Robert M. Wallace

Është botuar libri më i ri filozofik “Çka mund të mësojmë sot nga Hegeli” nga autorët Blerim Latifi dhe Robert M. Wallace.

Dy profesorët universitarë dhe filozofët Blerim Latifi dhe Robert M. Wallace, në formë dialogu, dialogojnë idetë, konceptet dhe momentet më të rëndësishme filozofike që nga fillimet e mendimit filozofik perëndimor e deri më sot, por që lajtmotiv e kanë filozofin më të madh gjerman, Hegelin.

Libri është botuar nga Shtëpia Botuese “Bard Books”, dhe do të jetë në shitje nëpër të gjitha libraritë në Prishtinë.

Profesori dhe shkrimtari Ag Apolloni, për librin “Çka mund të mësojmë sot nga Hegeli” të Latifit dhe Wallace-it ka shkruar se “Dialogu mes dy profesorëve të filozofisë dhe njohësve të thellë të Hegelit, Dr. Blerim Latifi dhe Dr. Robert M. Wallace, është një diskutim mbi një rrjet idesh nga antikiteti deri sot, duke pasur përherë në qendër Hegelin. Në këtë kohë dhe në këtë vend ku diskutimet, në rastet më të shpeshta, e kanë ulur shumë nivelin, ky libër është një tour de force”.

Blerim Latifi dhe Robert M. Wallance, me qetësinë filozofike i elaborojnë përplasjet më të mëdha në filozofinë perëndimore prej Platonit deri te Hegeli e përtej.

“Kur flitet për Hegelin nuk mund të shmangen emrat e mëdhenj të filozofisë sikurse janë Platoni, Kanti, Marksi, por edhe çështjet e përhershme të saj siç janë liria, moderniteti dhe religjioni me dy konceptet e tij themelore, Zotin dhe misticizmin. Krejt këto janë pjesë e bashkëbisedimit tim filozofik me profesor Wallace”, shkruan Latifi në parathënie të librit.

Libri nisë me Hegelin dhe përfundon me poezinë “The Base of All Metaphysics” të Walt Whitman, që të sugjeron se Hegeli, në fakt, është, baza e të gjithë metafizikës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore