Boterori 2022

“Mëkat që lindi në Brazil” – Raphinha mbron Neymar-in


Ylli brazilian, Neymar, u dëmtua në ndeshjen e parë të Kupës së Botës, që kombëtarja e tij e mposhti Serbinë me rezultat 2:0.

Sulmuesi i Paris Saint-Germain e la fushën në minutën e 79-të shkaku i lëndimit në kavilje, derisa nuk do të luajë për Brazilin në dy ndeshjet e ardhshme të fazës së grupeve: ndaj Zvicrës më 28 nëntor dhe ndaj Kamerunit më 2 dhjetor.

Neymar së fundmi bëri një postim në rrjetet sociale, ku shkruan: “Nëse Zoti do më kishte dhënë mundësinë për të zgjedhur një vend për të lindur, do të kisha zgjedhur Brazilin”.

Të shumta kanë qenë komentet mbështetëse të tifozëve brazilianë, por ka edhe nga ata që e kritikojnë prej vitesh sulmuesin.

Mesazhi i dashurisë për Brazilin e tij, nuk ka mjaftuar për të fituar zemrat e kritikëve, teksa në mbrojtje të Neymar ka dalë Raphinha, sulmuesi i Barcelonës dhe shoku i skuadrës në Botërorin e Katarit.

“Tifozët e Argjentinës e trajtojnë Messi-n sikur të ishte Zot. Tifozët e Portugalisë e trajtojnë Cristiano Ronaldo-n si një mbret. Tifozët brazilianë shpresojnë që Neymar të thyejë këmbën”, shkruan Raphinha.

“Është e trishtueshme, gabimi më i madh i karrierës së Neymar është që ka lindur në Brazil, ky vend nuk e meriton talentin dhe futbollin e tij”, shkroi 25-vjeçari, fjalë që kanë shkaktuar debate të shumta në vendin ku futbolli është fe dhe pasion unik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore