Kosova

Mehmeti takohet me përfaqësues të Bankës Botërore, diskutojnë për sistemin financiar


Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka takuar përfaqësuesit e Bankës Botërore

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka takuar përfaqësuesit e Bankës Botërore, të cilët po qëndrojnë në vizitë në Kosovë, me të cilët ka diskutuar për gjendjen në sistemin financiar.

“Guvernatori Mehmeti ka informuar zyrtarët e këtij institucioni për gjendjen në sistemin financiar dhe ka falënderuar përfaqësuesit e këtij institucioni për përkrahjen e vazhdueshme, që kanë dhënë dhe po japin për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e BQK-së.

Sipas njoftimit, Mehmeti ka deklaruar se sistemi financiar në Kosovë ka pasur zhvillime pozitive.

“Asetet e sistemit financiar, deri në muajin tetor 2021 kanë shënuar rritje vjetore prej 11.8 për qind, ndërsa kreditimi bankar ka shënuar rritje vjetore prej rreth 13.4 për qind, normat e interesit në kredi kanë zbritur në 6.0 për qind, ndërsa norma e kredive jo-performuese ka shënuar rënie në 2.4 për qind”, vijon njoftimi.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti

Po ashtu, Mehmeti i njoftoi përfaqësuesit e Bankës Botërore lidhur me zhvillimet pozitive në sektorët tjerë, si sektori i sigurimeve, pensioneve dhe ai i institucioneve mikrofinanciare dhe financiare jo-bankare.

Mehmeti i ka falënderuar përfaqësuesit e Bankës Botërore lidhur me asistencat teknike të realizuara deri më tani.

“Mehmeti shprehu gatishmërinë e BQK-së për bashkëpunim me ekipin e Bankës Botërore për të finalizuar me sukses projektet e ardhshme”.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Bankës Botërore të kryesuar nga Elene Imnadze, Zëvendësdrejtoresha e zyrës së Bankës Botërore për Kosovë, e shoqëruar nga përfaqësues të FINSAC në Vjenë, falënderuan Mehmetin për bashkëpunimin e vazhdueshëm, si dhe diskutuan për mënyrat e rritjes së mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet Bankës Botërore dhe BQK-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore