Shqipëria

Me patronazhistët në terren, Rama do fitore në 6 bashki dhe nuk negocion me asnjë PD


“Patronazhistët janë në terren, kanë nisur punë dhe do të kemi rezultat shumë pozitiv në zgjedhjet e pjesshme”.

Kryeministri i Shqipërisë, duke vijuar në mbrojtjen e tij ndaj funksionarëve të Partisë Socialiste, të njohur si “patronazhistët”, ka theksuar se sipas tij, do të arrihet të korret fitore në të gjashta bashkitë ku garohet në 6 mars, në zgjedhjet e pjesshme.

Sipas numrit një të selisë rozë, ka një mekanizëm të qartë të kolauduar, i cili i jep numrat në territor. Pikërisht prej këtij mekanizmi, indiciet e socialistëve, janë ato të fitores në gjashtë bashki.

Kryeministri, menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, ka dalë në një deklaratë për mediat, ku i është përgjigjur edhe pyetjeve të gazetarëve.

Më e rëndësishmja prej tyre, ishte ajo e votimit bipartizan në Kuvend, për zgjatjen e organeve të vetingut në Shqipëri.

Mbi këtë “bashkëpunim”, Rama ka folur, duke e përmendur si bashkim pozitiv. Por, ai ka mohuar të ketë pasur bisedime paraprake për këtë çështje.

“Arsyet s’kanë rëndësi, për sa kohë kemi zgjatjen e mandatit. Ka qenë proces i dhimbshëm, i vështirë, jo perfekt, por pastrim i një llumi të madh në sistemin e drejtësisë, në një vend që s’ka pasur kurrë drejtësi. Kemi ecur me shpejtësi të skëterrshme në këtë reformë”, theksoi ai.

Megjithatë, kryeministri mendon se ende, ka “shumë llum në gjykata”.

Ndërsa, sa i përket bashkëpunimit apo negociatave me Partinë Demokratike, ai ka vijuar një retorikë ironizuese ndaj kësaj force politike.

Fillimisht, ai i ka pyetur gazetarët se kujt PD-je i referohen. Më pas, ka qenë i prerë.

“Nuk negociojmë me asnjërën nga të dyja”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore