Shqipëria

Me 120 mijë eurot që vodhi me të ëmën, bënte jetën e luksit 23-vjeçari në Tiranë


Havier Dobi u bë një emër i njohur për publikun shqiptar mëngjesin e 7 janarit, pasi u kap së bashku me mamanë e tij, Rozetën dhe u arrestuan me akuzën e vjedhjes së një shume prej 120 mijë eurosh nga një banesë në Tiranë.

Sipas dinamikës së ngjarjes, Rozeta Dobi, e cila ishte punonjëse e mirëmbajtjes në shtëpinë ku u vodh shuma e parave, e organizoi dhe inskenoi bashkë me të birin gjithë skenarin, duke e lënë shtëpinë rrëmujë.

Më pas, me lekët e grabitura, ata kishin blerë edhe dy automjete luksoze, si edhe bizhuteri të shumta.

Këto të fundit, djali 23-vjeçar nuk ngurronte as t’i publikonte në mediat e tija sociale, duke treguar kështu jetën e luksit që bënte.

Ishte një operacion policor, i koduar “Inside”, ai i cili bëri të mundur kapjen e të dyve.

Gjatë kapjes së tyre, janë sekuestruar mbi 8 milionë lekë, të cilat dyshohet se ishin vjedhur nga banesa, tre automjete (dy prej të cilëve të blerë me paratë e vjedhura) si edhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së krimit.

Nga provat e siguruara prej organeve hetuese, është zbuluar se Dobi ka qenë e punësuar në mirëmbajtjen e një banese në rrugën e Kosovarëve dhe ajo së bashku me djalin e saj, e kanë vjedhur shumën e madhe, duke përfshirë sende me vlerë.

Gjatë kontrollit në banesë, atyre iu gjetën shuma parash në vlerën e 58 mijë e 150 eurove, 7 mijë dollarë, 368 mijë lekë dhe sende me vlerë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore