Lajme

Mbyllen tri çerdhe në Prishtinë pas infektimit të fëmijëve dhe stafit


Ilustrim

Për shkak të shtimi të numrit të rasteve me COVID-19, në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë janë mbyllur edhe tri institucione parashkollore. Njëra ndër to është edhe çerdhja “Dielli” në Bregun e Diellit. Drejtoresha Lumturie Gashi ka thënë se të infektuar janë nga stafi si dhe fëmijë.

“Tri edukatore kanë rezultuar pozitive dhe janë 11 fëmijë të infektuar”, u shpreh Gashi për RTK që konfirmoi se menjëherë objekti i institucionit që drejton është dezinfektuar.

Nga Drejtoria e Arsimit të Komunës së Prishtinë kanë konfirmuar se të mbyllura janë edhe institucionet parashkollore “Xixëllonja” dhe “Gëzimi ynë”.

Po ashtu, të mbyllura janë edhe 25 institucione edukativo-arsimore dhe aftësuese të cilat kanë kaluar në skenarin C apo mësim online, ndër to është edhe shkolla ‘Ismail Qemali” në Breg të Diellit.

Sipas rekomandimeve të Instituti Kombëtarë të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) nëse 5% e rasteve konfirmohen pozitiv atëherë ato klasa apo institucione parashkollore duhet të mbyllen.

Mbyllja e institucioneve parashkollore po i shkakton vështirësi më së shumti prindërve në raporte pune që detyrohen të gjejnë zgjidhje të tjera për kujdesin e fëmijës së tyre gjatë kohës që janë në punë.

Ndërsa, të enjten e 27 janarit në Kuvendin e Kosovës, nuk janë votuar rekomandimet e opozitës për ndryshimin e masave kundër pandemisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore