Kosova

Mbi 41 milionë euro planifikohen për ngritjen e shërbimeve shëndetësore


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Problemet e vjetra e kanë shoqëruar shëndetësinë kosovare në vazhdimësi, për zgjidhjen e tyre Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia po planifikon 41 milionë e 67 mijë euro për ngritjen e shërbimeve shëndetësore.

Përmes një komunikate për media nga ana e Ministrisë, është thënë se gjatë takimit me grupin punues kyç për hartimin e Planit Strategjik për zbatimin e fizibilitetit dhe raportit shtesë për studimin “Ngritja e infrastrukturës dhe pajisjeve për kujdesin dytësor dhe tretësor”, Vitia ka alarmuar nevojën urgjente që të veprohet në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

Madje, sipas tij është hera e parë që kemi një plan të tillë strategjik për ngritjen e infrastrukturës dhe pajisjeve për kujdesin dytësor dhe tretësor.

“E dimë që janë probleme sistemike, por nga stafi shëndetësor nuk mund të kërkojmë maksimumin kur mungojnë parakushtet për të ofruar shërbime sa më cilësore për qytetarët tanë që është edhe objektivi kryesor”.

“Pasi shëndetësia është një prej prioriteteve të Qeverisë së Kosovës, gjë që dëshmohet edhe me rritjen e buxhetit që është më i larti deri më tani, si dhe me donatorët tanë të cilët kanë shprehur gatishmërinë, ky plan sado ambicioz, do të jetë i realizueshëm”, tha ai.

Në këtë komunikatë, theksohet se cilësia e shërbimeve shëndetësore do të përmirësohet “në një periudhë afatshkurtër”.

Kërkesë e Vitisë ishte që të gjithë ta bëjnë maksimumin që ta ngrisin nivelin e shërbimeve shëndetësore.

Edhe pse ministri Vitia është kritikuar për mungesë të transparencës, i njëjti ka kërkuar që për problemet të diskutohet.

“Sipas tij kjo arrihet vetëm duke i diskutuar problemet, nevojat dhe kërkesat, e jo duke i fshehur ato”, thuhet në komunikatë.

Problemet në klinika, mungesa e infrastrukturës, mungesa e barnave, fashave, lista e pritjes në QKUK, çmimet e barnave, infuzioneve, e krejt në fund largimi çdo vit e më shumë i mjekëve nga Kosova, vazhdojnë të jenë vetëm disa nga problemet e vjetra që e shoqërojnë shëndetësinë.

Për të gjitha këto probleme njohësit e fushës së shëndetësisë gjithmonë kanë deklaruar se ka zgjidhje, por që duhet angazhim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore