Lajme

“Arben Vitia dëmton seriozisht shëndetin”, ministri që s’po flet


Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Foto: Albanian Post

Postin e riktheu, por qasja nuk ndryshoi.

Më 26 dhjetor, Arben Vitia u emërua sërish ministër i Shëndetësisë. Që nga ajo ditë e deri më 11 janar nuk pati as një paraqitje para mediave.

Përveç kësaj, plani dhe synimet që ka për përmirësimin e shëndetësisë në Kosovë as nuk u paraqiten përkundër se 15 ditë janë bërë që nga emërimi i tij.

Gjatë këtyre ditëve, pacientët në Klinikën e Onkologjisë janë duke vazhduar të ballafaqohen me mungesë të barnave, dy mjekë janë arrestuar për marrje ryshfeti dhe një pacient ndërroi jetë në Klinikën e Kardiokirurgjisë pas operimit i cili nga kardiokirurgu u konsiderua si “sukses”.

Për asnjëren nga këto ngjarje, ministri nuk e tha as edhe një fjalë të vetme.

Heshtja, formula e Vitisë për problematikat që e rrethojnë sektorin e shëndetësisë.

Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në një bisedë për Albanian Post ka thënë se “çmimin” e paaftësisë së ministrit po e vuan populli.

“Se paaftësia qeverisëse dëmton rëndë shëndetin ne e kemi thënë me kohë, dhe se çmimi i paaftësisë të kësaj qeverie është bërë i papërballueshëm për pacientin e qytetarin tashmë është tepër evidente”.

Por, mosinformimi i Vitisë dhe heshtja e tij është e papranueshme.

“Nga kjo mostransparence dhe me këtë qasje po tentohet që vargu i dështimeve dhe skandaleve e që tash janë bërë super skandale ky pushtet të heshtë para gjithë kësaj që po ndodhë në sektorin e shëndetësisë”.

Nga këndvështrimi i tij, një situatë e tillë nuk duhet të pranohet, sepse gjendja në shëndetësi është e tmerrshme.

“Kjo është e papranushme dhe nuk do duhej të tolerohej. Me një fjal gjendja është kaotike dhe në denigrim të skajshem të këtij sektori sensitiv për qytetarin e Kosovës”, thotë Zemaj për Albanian Post.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Edhe Shemsedin Dreshaj, nga Komisioni për Shëndetësinë, thotë se nuk duhet të ketë pritje për përmirësim pasi ka mungesë të programit.

Sipas tij, Qeveria ka ardhur pa program në pushtet.

“Kjo qeveri kur ka ardhur në pushtet ka ardhur pa program të Qeverisjes dhe ata kanë prezantuar një banket politikë në Kuvend, i kanë pasur votat e tyre e kanë votuar dhe ashtu vazhdojnë të qeverisinë”, thotë Dreshaj.

“Pra, është një Qeveri e cila vërtetë në asnjërën prej segmenteve të prezantuar s’ka ndonjë program të mirëfilltë qeverisës”.

Prandaj, ai thotë se heshtja e Vitisë është e kuptueshme.

“Unë nuk e di se çfarë do të dal Arbeni të flas derisa nuk ka pasur program për Qeverisjen as në fillim, as kur kishte kandiduar për kryetar të Prishtinës dhe tash situata është e njëjtë”.

Ai deklaron se një ngjarje e ngjashme ishte edhe me para-ardhesin e Vitisë. “E njëjta situatë ka qenë edhe me ministrin Latifi”.

Paraqitjet e Vitisë, pëveç në publikë, mungojnë edhe në Komisionin për Shëndetësinë.

Pra, transparenca e tij mungon për publikun, gazetarët, por edhe për deputetët.

“Prejse ka ardhur tash nuk kemi pasur kontakt me ministrin Arben Vitia as në Komisionin për Shëndetësi”.

Albanian Post, ka kontaktuar me Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me planprogramin e ministrit Vitia dhe arsyet e mosprezantimit të këtij plani, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Riemërimi i ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia

Kosova për 79 ditë ka qenë pa ministër të Shëndetësisë, U.D e kësaj pozite ishte Dafina Gexha-Bunjaku.

Për herë të parë Vitia ishte emëruar ministër i Shëndetësisë, më 22 mars në Qeverinë Kurti.

Por, me 1 tetor të vitit 2021 kishte dhënë dorëheqje për t’u fokusuar në garën për Prishtinën.

Pavarësisht deklarimeve të tij se kishe planifikuar që të qëndrojë në këtë post deri kur në Kosovë të ketë rezultate të mira në përballjen me pandeminë, nuk rezultoi të jetë ashtu.

Që kur Vitia kishte shpallur kandidaturën e tij për kryetar të Prishtinës, ishte kritikuar nga qytetarët dhe shoqëria civile, përkundër se ligjërisht kandidimi i tij për kryetar nuk ka pasur ndonjë pengesë.

Arben Vitia ishte favorit absolut në zgjedhjet e fundit komunale për kryetar të Prishtinës, por i humbi zgjedhjet nga kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama.

Vitia vinte nga një fitore masive që kishte arritur në zgjedhjet parlamentare, ku kishte marrë mbi 100 mijë vota.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit Vitia pati marrë 107 mijë e 813 vota, duke e bërë një nga më të votuarit në Kosovë.

Mirëpo, në garë me Përparim Ramën e LDK-së më pas, në raundin e balotazhit, ai mori vetëm 38 mijë e 958 vota, apo 48.93 për qind.

Sa herë që ky post lihej pa udhëheqës, opozita thoshte se “Qeveria është duke i ruajtur vendin Arben Vitisë”.

Kryeministri Kurti, ishte i bindur për suksesin e Vitisë në këtë ministri, prandaj ishte e paqartë dorëheqja e tij.

Në disa pyetje për të cilat kërkohej përgjigje për situatën në shëndetësi ishte e vështirë të merrej përgjigje nga Vitia, pasi ai nuk fliste kurrë, përveç në komunikata për shtyp, në të cilat lexonte të dhëna nga letra që mban në duar.

Ky informim nuk ishte i mjaftueshëm për qytetarët e Kosovës.

Kosova vazhdon të jetë një nga vendet me problemet më të mëdha shëndetësore.

Pas Vitisë, në këtë pozitë ishte emëruar ministër i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i cili pas 11 muajve dha dorëheqje nga kjo pozitë pas kritikave të shumta ndaj tij në menaxhimin e shëndetësisë.

Në Kosovë nuk ka sigurime shëndetësore. Në Kosovë ka mungesë të barërave esenciale.
Nga Kosova largohen vazhdimisht mjekë të rinj për në Gjermani e vende të tjera në pamundësi për të gjetur punë në vend, përkundër se ka mungesë mjekësh.
Në Kosovë nuk bëhen shumica e operacioneve, dhe rastet e komplikuara shkojnë në vende të tjera si Turqia.

Në Kosovë mjek e infermierë vazhdimisht janë në protesta për kushte më të mira e rritje pagash.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore