Shqipëria

“Mbi 140 mijë qytetarë janë vaksinuar falas kundër gripit stinor”


Foto ilustruese.

“Më shumë se 140 mijë qytetarë janë vaksinuar falas kundër gripit stinor pranë qendrave shëndetësore në të gjithë vendin”.

Kështu njoftoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, mëngjesin e 20 nëntorit nëpërmjet një postimi në median sociale Twitter.

Nëpërmjet një video-mesazhi mjekët apeluan për rëndësinë e vaksinimit.

Dr. e familjes në Qendrën Shëndetësore Nr. 8, Migena Halili, këshilloi moshat më vulnerabël të shoqërisë – të moshuarit dhe fëmijët – që të vaksinohen kundër gripit sezonal.

“Për shumëkënd gripi sezonal është thjesht një grip. Por, unë si mjeke shoh dhe trajtoj çdo ditë pacientë me komplikacione të rënda të gripit dhe për fat të keq deri në humbje jete”, bëri me dije Dr. Halili.

Ndërsa Dr. Anila Shahini mjeke familjes në Qendrën Shëndetësore Nr. 1, deklaroi se kjo vaksinë aplikohet falas te njerëzit me risk.

“Gripi është sëmundje që duhet marrë seriozisht sidomos në këtë periudhë të vështirë”, vijoi Dr. Shahini apelin e saj.

Një tjetër mjeke theksoi se, “domosdoshmëria e kësaj vaksine është më se efikase, pasi jetojmë dhe në një periudhë COVID-i”.

Nga ana tjetër pjesë e apelit për vaksinim kundër gripit sezonal ishin dhe qytetarë të moshës së tretë.

“Detyrim shëndetësor për veten tënde”, tha një e moshuar teksa po vaksinohej.

Apeli vazhdoi dhe në fund të videos nga mjekët: “Duke u vaksinuar mbrojmë veten dhe të tjerët”.

Në përfundim postimi në Twitter mbyllet me mesazhin se çdo qytetar duhet të kontaktojë mjekun e familjes për informacione dhe për të qenë më të mbrojtur gjatë sezonit të dimrit.

“Vaksinat shpëtojnë jetën”, mbyllet video-mesazhi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore