Lajme

Maurizio Cattelan pretendohet se e ka kopjuar veprën artistike virale “Comedian”


Artisti italian Maurizio Cattelan afro tre vite më parë ka përjetuar një nga momentet më të mëdha virale në botën e artit kur shiti një banane të ngjitur me shirit në një mur për 120 mijë dollarë në Art Basel Miami.

Por një tjetër artist, Joe Morford nga California, pretendon se artisti me famë botërore ka kopjuar veprën e tij artistike të vitit 2000 të titulluar “Banana & Orange”.

Një gjykatës ka vendosur që Morford mund të vazhdojë me një çështje kundër Cattelan, duke thënë se Morford “pohon mjaftueshëm se ka ngjashmëri në elementë të mbrojtur” të veprës së tij artistike.

Përballja, nëse do të arrijë në gjykatë, do të zhvillohet në Miami, ku gjyqtari Robert N. Scola, Jr. ka mohuar kërkesën e Cattelan për të pushuar çështjen të mërkurën e kaluar.

“Fatmirësisht për gjykatën, pyetja nëse një banane e ngjitur në mur mund të jetë art është më shumë një pyetje metafizike”, ka shkruar Scola në vendimin e tij.

“Por pyetja ligjore para gjykatës mund të jetë po aq e vështirë – a pretendoi mjaftueshëm Morford se banania e Cattelan cenon bananen e tij?”, ka pyetur ai.

Sakaq, Morford po kërkon dëmshpërblim me një vlerë mbi 390 mijë dollarë, si dhe shpenzimet gjyqësore dhe shpenzimet e udhëtimit.

Cattelan tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare kur shiti tre versione thuajse identike të veprës së tij të artit me banane në panairin e artit të vitit 2019.

Pjesa e fundit kushtoi 150 mijë dollarë.

Me emrin “Comedian”, vepra u bë menjëherë e njohur pasi u përhap në internet. Mirëpo, Morford pretendon se ajo është plagjiaturë e veprës së tij artistike, e bërë gati dy dekada më parë.

Referuar dokumenteve të gjykatës, Morford e kishte regjistruar veprën artistike në Zyrën e të Drejtave të Autorit të SHBA-ve dhe e kishte postuar atë në faqen e tij të internetit, në llogaritë e tij në Facebook dhe YouTube shumë kohë përpara se Cattelan të krijonte “kopjen”.

Ndërsa avokatët e Cattelan kanë argumentuar se Morford “nuk ka të drejtë autori të vlefshme” për elementët e veprës artistike.

Marrë nga “CNN”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore