Lajme

MASHT-it i kërkohet të bëjë vlerësimin e mësimdhënësve


Ilustrim.

Të enjten e 2 qershorit është lansuar projekti “Future Of Education”, në Kosovë e cila për synim ka rritjen e cilësisë së mësimdhënësve në institucionet arsimore të Kosovës.

Gjatë mbajtjes së kësaj konference është kërkuar që të bëhet vlerësimi i përgjithshëm i mësimdhënësve e që numri i tyre në Kosovë është 22 mijë.

Mirëpo, vetëm 400 prej tyre janë vlerësuar për performancën e tyre, derisa është kërkuar që të shrytohen edhe licensat të cilat janë dhënë.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Popovci, deklaroi se inspektorati i arsimit e ka të pamundur ta bëjë një vlerësim të mësimdhënësve në të gjitha komunat.

“Është një temë aktuale për vlerësimin e performancës, është një gjendje cila nuk është duke funksionuar, dhe po mendojmë ta bëjmë një gjë të tillë. Kemi diskutuar me ekspert që ta finalizojmë. Vlerësimi i performancës së arsimit nga inspektoratit i arsimit është problematike të bëhet, pasi që në vendin tonë janë 22 mijë punonjës”, deklaroi Popovci.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Popovci gjatë lansimit të projektit “Future of Education”.

Sipas tij, zgjedhja është që drejtorët e shkollave të bëjnë vlerësimin e mësimdhënësve të tyre.

“Po përgatitemi që performancën e mësimdhënësve ta bëjnë drejtorët brenda shkollës. Ky projekt po realizohet në një kohë të duhur dhe formë të duhur, shpresojmë që do të jetë e zbatueshme, një numër i vogël i mësimdhënësve kanë kaluar nëpër procesin e vlerësimit”.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i “Teach Of Kosovo”, Egzon Gashi, u shpreh se projekti do të kalojë në tri instrumente, ku do të bëhet vlerësimi i performancës së mësimdhënësve.

“Projekti ka synim të kalojë në tri instrumente e që janë; cilët janë mësimdhënësit me performancë të lartë, ata që duhet të përmirësohen, për shembull, në një komunë nxënësit kanë probleme me kompjuterët, ne do të bisedojmë më drejtorin e arsimit, Ministrinë e Arsimit që të përmirësohet gjendja”, deklaroi Gashi.

Sektori i arsimit në Kosovë për vite me radhë, është përballur me probleme të mëdha dhe pa përmirësim të duhur në fusha të caktuara.

Nxënësit në Kosovë, sipas një raporti të Bankës Botërore të publikuar në shtator të vitit 2020, kanë ngecje të theksuar në mësimnxënie.

Sipas Bankës Botërore, një fëmijë që ka shkuar në shkollë plot 13 vjet, deri kur i ka mbushur 18 vjet, në realitet ka bërë vetëm 7.5 vjet mësim.

Pra, sipas BB-së, ka një hendek të mësimnxënies prej 5.3 vjetësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore