Aplikacione

‘Mascara’, trendi problematik i përhapur në TikTok


Kohët e fundit, në platformën TikTok qarkullojnë shumë video në të cilat flitet për mascara-n.

Diçka që nuk ka të bëjë me make up-in, ashtu sikurse mund të mendohet nga vetë fjala që nënkupton produktin për lyerjen e qerpikëve.

Njerëzit e kanë përdorur fjalën mascara për të folur për marrëdhëniet në një mënyrë që shmang filtrat e censurës së TikTok-ut.

Meqë trendi i #macara-s filloi më pak se dy javë më parë, ai ka mbledhur më shumë se 100 milionë shikime.

Kodi sekret nisi konfuz, më pas mori një kthesë më të errët që e futi në telashe aktoren Julia Fox. Por për çfarë bëhet fjalë?

Në fillim, trendi mascara ishte mjaft i shëndetshëm.

Përdoruesit postonin video – zakonisht me këngën Constellations, nga Duster – dhe flisnin për përvojat e tyre, të mira dhe të këqija, me partnerët.

Njëri ka treguar se e kanë pasur marrëdhënien e tyre që kur ishin 14 vjeç. Kurse një tjetër ka thënë se nuk e dinin nëse “do t’i besonin ndonjëherë ndonjë mascara” pasi “i dëmtoi qerpikët plotësisht”.

Ashtu si shumë tendenca, shpejt u bë më seksuale.

Mascara shpejt u bë fjalë e koduar për një pjesë të caktuar të trupit. Disa njerëz madje diskutonin për kohëzgjatjen e marrëdhënieve të tyre seksuale nën këtë kod.

Më pas erdhën diskutimet për abuzimet seksuale dhe traumat, të përshtatura në një mënyrë që vetëm ata që e dinin do ta kuptonin.

Por shumë të tjerë ishin konfuzë dhe ky konfuzion e çoi aktoren dhe modelen Julia Fox në një situatë jo fort të mirë javën e kaluar kur ajo iu përgjigj një videoje që përdorte këtë kuptim alternativ.

Por ajo kërkoi falje sapo e kuptoi gabimin e saj, duke thënë se me të vërtetë mendonte se po flisnin për make up-in.

Fjalët kod janë të zakonshme në TikTok dhe  përdoren vazhdimisht.

Ato janë të gjitha një përgjigje ndaj ndalimit të aplikacionit për gjuhën dhe përmbajtjen seksualisht eksplicite, gjë që mund ta bëjë të vështirë të flasësh për tema të ndjeshme.

Kësaj gjuhe që zhvillohet jashtë rregulloreve të rrepta iu dha emri “Algospeak” – fol me algoritmin – nga Taylor Lorenz, një reporter i “Washington Post”-it.

Sakaq, këto fjalë të koduara nuk janë një gjë e re në internet.

Ishte një kohë kur shumica e njerëzve nuk e dinin se çfarë do të thoshte OMG, LOL ose IKR.

Por tani është vënë në dukje një problem specifik me #mascaratrend.

Eksperti Danny Greeves mendon se TikTok-u është një medium i dobët për të ndarë përvojat traumatike siç duhet.

Sipas tij, fjalët e koduara paraqesin një sfidë sepse ato i referohen një teme në mënyrë indirekte dhe ia heqin rëndësinë emocionale.

“Temat që zakonisht do të kërkonin ndjeshmëri, mirëkuptim, bëhen të parëndësishme”, ka dalluar ai.

“Kur kjo ndodh – siç është tendenca e bojë për qerpikët – ngjarjet thellësisht të dhimbshme dhe traumatike si sulmet seksuale minimizohen”, ka veçuar eksperti.

Kurse psikologia Amanda Furness nuk është aq e bindur dhe thotë se gjuha në zhvillim mund t’i lejojë të rinjtë të diskutojnë përvojat më hapur.

“Por jep një mesazh konfuz dhe është i hapur për keqinterpretim”, ka dalluar ajo.

Sipas saj, me rëndësi është të sigurohet që të rinjtë të ndihen rehat dhe të sigurt duke folur për përvojat dhe trupat e tyre në një mënyrë të kuptuar botërisht.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore