Sport

Marku në KO nga trajneri i kombëtares së boksit: Turp që krahasohet me Gegën, duhet ta mbylli karrierën


Trajneri i Kombëtares shqiptare të Boksit, Zef Gjoni, e ka zhvlerësuar tërësisht figurën e boksierit shqiptar Florian Marku pas fitores së këtij të fundit për titullin kampion në WBC kundrejt meksikanit Miguel Parra Ramirez, duke thënë se shqiptari nuk e meritonte fitoren.

Madje, Gjoni shkon deri aty sa të thotë se është një “turp” që Marku krahasohet me një kampione si Luiza Gega dhe nderohet nga zyrtarë të lartë, kur ende nuk kishte fituar gjë.

“Pa fituar titull dhe pa fituar asgjë, u prit nga kryeministri Edi Rama, nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, duke u barazuar me Luiza Gegën, që erdhi me medalje ari”, ka thënë Gjoni në një intervistë për gazetën Panorama Sport.

Mbi këtë premisë, ai vendos edhe faktin se si Alban Beqiri, një medalist në Kampionatin Botëror dhe boksier i një niveli më të lartë se Marku, nuk është pritur nga kreu i Qeverisë në të tillë mënyrë.

Kështu, duke e theksuar se pritje të tilla për Markun, janë një “turp përdhosës”.

“Ju mund të prisni dhe të respektoni çdo njeri, por për merita sportive duhet të shikoni se çfarë kanë arritur këta njerëz. Po barazoni një legjendë si Luiza Gega me Florian Markun, që s’ka bërë asgjë…”, vijon më tej ai.

Përballjen që Marku pati me Perreiran, Gjoni e cilëson si të një “niveli të ulët”.

Nokauti final i trajnerit të kombëtares? Le ta lërë fare boksin më mirë, përsiat ai.

“Nuk mundi të tregohej superior ndaj një kundërshtari që është në vend të 262-të në Botë dhe në vend të 32-të në Meksikë për peshën e tij”, e përmbyll ai komentin për ndeshjen, ku nuk ishte as i ftuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore