Shqipëria

Marko Kepi mund t’i ketë manipuluar vërtet votimet amerikane


I riu 26-vjeçar shqiptar, i cili mblodhi 1 milion dollarë për të prekurit e tërmetit të 26 nëntorit 2019 në Shqipëri, Marko Kepi, mund t’i ketë manipuluar vërtet votimet në SHBA.

Shqiptari ndodhet tashmë zyrtarisht nën hetim pas kërkesës së Këshillit Zgjedhor ndaj Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, mbi procesin zgjedhor të zhvilluar në Staten Island, për Këshillin Bashkiak.

Sipas dyshimeve, Kepi dhe ekipi i tij mund të kenë regjistruar vota të personave të vdekur për t’u favorizuar.

Kepi është në ndjekje të David Carr brenda palës republikane, ku shqiptari ndodhet vetëm 200 vota larg kapjes së pragut. Në nëntor, republikanët zhvillojnë zgjedhje të përgjithshme, për zëvendësimin e anëtarit të Këshillit Bashkiak, Steven Matteo.

Ndërkaq, sipas Komisionit të Zgjedhjeve, ekipi i Kepit, i përbërë nga katër anëtarë, ka marrë 1 mijë e 50 vota nëpërmjet postës. Shumë prej tyre besohet të jenë të falsifikuara dhe të kenë parregullsi.

Dyshime ka gjithashtu se kjo skemë mund të jetë shumë më e gjerë nga sa deklarohet deri më tani.

Kjo, sepse jo vetëm rezultati i Kepit ndikohet nga parregullsitë, por rezultatet e të gjithë kandidatëve në tërësi.

Kepi ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e përpiluara dhe ka kërkuar certifikimin e votimeve.

Letra e Carr

“Në dy muajt e fundit, qindra aplikime të munguara janë dorëzuar në emër të fushatës së Marko Kepit në këto zgjedhje; shumë prej aplikimeve përmbajnë nënshkrime të falsifikuara që nuk përputhen me firmën përkatëse të votuesit të regjistruar me Bordin e Zgjedhjeve të Qytetit të Nju Jorkut (BOE)”, pretendon letra e Carr.

“Ky operacion i korrjes së fletëve të votimit konsiston në aplikime që paraqiten në mënyrë kriminale në emër të votuesve. Kjo autorizon në mënyrë të paligjshme individë të veçantë që janë të lidhur me fushatën e Kepit për të mbledhur ato fletëvotime në emër të tyre”, shkruhet më tej.

“Si rezultat, kam dyshime të konsiderueshme që fletët e votimit do të merren nga votuesit e duhur për t’u nënshkruar dhe vulosur prej tyre në përputhje me ligjin”, përmbyll Carr.

Kundërpërgjigjja e Kepit ​​

Kepi ​​lëshoi ​​një deklaratë duke iu përgjigjur pretendimeve përmes postës elektronike.

“Duhet të jetë shumë e qartë se David Carr, i cili ka lënë në baltë njerëzit e Staten Island për tetë vitet e fundit si kryetar i zyrës së Këshillit, është i dëshpëruar në fushatën e tij të dështuar për Këshillin e Qytetit”, shkruan Kepi.

Sipas tij, David Carr po përdor një taktikë liberale, në një përpjekje për ta hetuar për pretendime të rreme. “Njësoj si bënë me Presidentin Trump”, nënvizoi Kepi.

Kepi ​​theksoi se fushata e tij ka funksionuar në përputhje me të gjitha politikat përkatëse.

“Fushata ime përputhet me të gjitha rregullat dhe rregulloret që organizojnë zgjedhjet e New York City-t dhe David Carr me pretendimet e tij po tregohet patetik”, tha ai.

Carr dhe Kepi do të përballen me Jordan Hafizi-n, Sam Pirozzolo-n dhe Kathleen Sforza-n në zgjedhjet paraprake të Republikanëve për vendin e Udhëheqësit të Pakicës Steven Matteo më 22 qershor.

Votimi i hershëm filloi të shtunën e 12 qershorit dhe do të vazhdojë deri më datë 20.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore